✍️ Shkruar nga Endri ÇINARI
Një tjetër problem dhe mungesë për Vllazninë në ndeshjen e rradhës në kampionat do jetë ai i zëvendësimit të Elmando Gjinit. Mbrojtësi u ndëshkua me karton të kuq pas dy të verdhave në duelin me Elbasanin dhe në këtë mënyrë nuk do jetë pjesë e sfidës së javës së 16-të kundër Bylis. Pavarësisht se ishte i kartoni i kuq ai që nxorri 23-vjeçarin jashtë loje kundër verdhebluve së fundmi, por mungesa e tij do ishte gjithsesi e sigurt kundër Bylis edhe me vetëm të verdhën e parë me të cilën u ndëshkua në minutën e 9-të.
Kjo pasi shtatlarti kishte plotësuar numrin 4 të kartonëve të verdhë, që automatikisht bëjnë të jesh i pezulluar për ndeshjen e rradhës. Dhe ndëshkimet me kartona me të vërtetë kanë qenë një problematikë e madhe për Vllazninë këtë sezon. Fakt që u vërtetua edhe në takimin e fundit ndaj Elbasanit, ku ishin plot 7 kartonë të verdhë dhe një i kuq në drejtim të futbollistëve kuqeblu. Ku emra si Gjini dy herë, Bajrami, Balaj, Kallaku, Krymi dhe Kastrati u “zverdhën” të gjithë.
Por, asnjë prej tyre nuk rrezikonte të mungonte në duelin e rradhës ndaj Bylis, pavarërisht se tek Vllaznia duhet të ketë një analizë për ndëshkimet e shumta të skuadrës. E ndërsa e sigurt është mungesa e Gjinit, një tjetër futbollist aë për të cilin ende ka shumë paqartësi për gjendjen e tij është Kristian Dros.
Me mesfushorin moldav i cili ka më shumë se dy muaj që qëndron jashtë fushave të lojës, ku në fillim u mendua vetëm një ndalesë e shkurtër për ish-mesfushorin e Elbasanit. Që nga ana e tij nuk zbret në fushë që nga data 04.10.2025, ku kuqeblutë mposhtën Elbasanin me rezultatin 1-0 në kuadër të javës së 6-të të kampionatit.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”