HomeFUTBOLL - KATEGORIA E DYTEBesëlidhja nis projektin e ri: Shpejt rikthehemi aty ku na takon!

Besëlidhja nis projektin e ri: Shpejt rikthehemi aty ku na takon!

Nga Maringlen ZHIVANI


Erë ndryshimi ka përfshirë futbollin lezhjan. Me marrjen e drejtimit të klubit nga presidenti Pjerin Fushaj, një emër i njohur i futbollit shqiptar për eksperiencën e tij si ish-zv/president i Vllaznisë dhe si anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, shpresa dhe optimizmi për rikthimin e lavdisë së Besëlidhjes janë rritur ndjeshëm.

Projekti i ri synon ta ngjisë sa më shpejt skuadrën në elitën e futbollit shqiptar. Lëvizja e parë konkrete ishte emërimi i Elvis Plorit në krye të pankinës, një trajner me vizion dhe eksperiencë. Ndërkohë, pjesa më e madhe e afrimeve vijnë nga Shkodra. Arsid Kruja, Ardit Hila, Sokol Neziri, Abaz Karakaçi, Jasmin Rraboshta, Gjergj Përgjoni dhe Spartak Ajazi janë futbollistët që kanë firmosur deri më tani, teksa shumica e tyre janë me karrierë të pasur dhe trofe të fituar në Superiore.

Gjithashtu, Besëlidhja ka rikthyer figura të lidhura ngushtë me historinë e saj. Alket Kruja do të jetë zv/trajner, ndërsa është rikthyer edhe sulmuesi lezhjan Ruben Danaj. Një tjetër lëvizje e rëndësishme është caktimi i Renato Malotës si drejtor teknik, një emër me peshë dhe përvojë të madhe në futbollin shqiptar.

Nga dje, skuadra ka nisur punën për sezonin e ri në Kategorinë e Dytë. Në fakt, përveç përforcimit të grupit, përpara fillimit të sezonit të ri priten edhe ndërhyrje në stadium, për të përmirësuar infrastrukturën dhe që gjithçka të jetë gati për fillimin e kampionatit që starton më 27-shtator. Nga skuadra e sezonit të shkuar, deri më tani te Besëlidhja kanë rinovuar mbrojtësit Kujtim Alcani dhe Klodian Vukaj, si edhe mesfushorët Xhuliano Kaçeli dhe Henrik Bruka.

Më i qartë nuk mund të ishte as premtimi i kryebashkiakut të Lezhës, Pjerin Ndreu, i cili theksoi se Bashkia ka qenë e përfshirë prej kohësh në gjetjen e një zgjidhjeje për futbollin lezhjan. Sipas tij, bashkëpunimi me biznesmenin Fushaj është fryt i garancive të dhëna për një mbështetje të fortë. Ky është një projekt ambicioz, teksa me përforcimet cilësore dhe organizimin e qartë, Besëlidhja shfaqet e gatshme të rikthehet aty ku e ka vendin, pikërisht në Superiore.(www.shkodrasport.com)

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments