Tashmë kanë mbetur vetëm pak ditë deri tek sfida e parë ndaj ukrainaseve të FC Kolos Kovalivka, teksa kujtojmë që sfida e parë ndaj këtij kundërshtari do të luhet këtë të enjte në orën 18:00 në stadiumin “Loro Boriçi” dhe ajo e kthimit pas një jave po në këtë stadium sipas marrëveshjes në mes dy ekipeve për shkak të situatës në Ukrainë.
Ndërkohë drejtuesit e Vllaznisë duke dashur të kërkojnë kualifikimin për në turin e dytë të “UEFA Women’s Europa Cup”, kanë menduar ta forcojnë ekipin edhe me dy lojtare të tjera. Një përforcim ndoshta i domosdoshëm nisur edhe nga problemet që u shfaqën në ndeshjet e Champions League.
Dhe reparti i mesfushës ka qenë ai i cili ka patur nevojë për ndërhyrje. Si rrjedhojë presidenti Lazer Matija bashkë me stafin e tij kanë arritur të sjellin në Shkodër edhe dy lojtare të tjera të huaja. Bëhet fjalë për lojtaren Carmen Montenegro Martinez, 25 vjeçare nga Panamaja dhe meksikanen 23 vjeçare Olga Renteria.
Të dyja këto lojtare luajnë si mesfushore sulmuese dhe pritet të jenë një ndihmë e madhe për skuadrën në këto ndeshjet europiane, por edhe për sezonin e ri të futbollit shqiptare. Martinez dhe Renteria tashmë kanë mbërritur në Shkodër dhe janë në dispozicion të trajnerit Leka, që mundohet t’i ingranojë sa më shpejt me pjesën tjetër të ekipit.(www.shkodrasport.com)