I ndodhur në Shkodër, qytet për të cilin ka shumë nostalgji dhe e viziton shpesh, ish-trajneri i Vllaznisë, Dervish Haxhiosmanoviç ka dhënë një intervistë për “Panorama Sport”.
Malazezi është ndalur tek performanca e kuqebluve në Euroës, përgatitjet verore e po ashtu prag sezoni i ri në Superiore. Ku thekson se si gjithmonë, shkodranët janë pretendentë për titullin dhe se dyshja Martini – Sinani e mbush me optimizëm për një ekip të suksesshëm.
Profesor, sërish në Shkodër, gjithmonë e njëjta ndjenjë për ju apo jo?
Ky është një qytet i mrekullueshëm, me njerëz fantastikë dhe kam gjithmonë kënaqësi kur vij këtu. Mund të them se si profesionist, në rolin e trajnerit këtu kam kaluar vitet më të bukura, vite që nuk do më shqiten kurrë nga mendja ime dhe prandaj kam gjithmonë nostalgji kur jam në Shkodër.
Tifozët kanë ende konsideratë të jashtëzakonshme për ju, pasi jeni i fundit që sollët titullin kampion…
Kjo është e vërtetë, por ai titull erdhi nga të gjithë dhe jo nga unë. Edhe tifozët kishin pjesën e tyre në atë sukses të para 24 viteve. Vetëm për këtë fakt më vjen keq sepse nuk e meriton ky popull dhe qytet të mos gëzojë për kaq shumë vite. Vllaznia dhe Shkodra meriton shumë më tepër seç ka marrë.
Kthehemi tek Vllaznia e sotme, nga sa e keni ndjekur, si janë dukur kuqeblutë në performancën e tyre europiane?
Me pak fat mund të arrinte në turin e tretë të Conference League. Them se ai duhet të jetë një “peng” pasi kishin ngelur vetëm pak minuta për të marrë kualifikimin. Por, futbolli i tillë është dhe asnjëherë s’ka gjëra të sigurta, megjithëse për këto duhet të nxjerrësh mësime dhe të mos ripërsërish gabimet në të ardhmen.
Mund të bënte diçka më tepër skuadra në ato duele?
Të flasësh tani është e lehtë, unë them se skuadra ka dhënë maksimumin. Ndoshta duhej të ishte më cinike në disa episode dhe të zgjidhte disa situata më thjeshtë. Por, tani shikohet vetëm përpara dhe koka nuk mund të kthehet më mbrapa për të kujtuar gabimet e së shkuarës.
Sezoni i ri i Superiores në prag, si i shikoni kuqeblutë?
Një ekip gjithmonë pretendent për vendet e para të klasifikimit. E kërkon historia, tifozët dhe klubi diçka të tillë dhe Vllaznia është gjithmonë pretendente pavarësisht gjithçkaje. Deri më tani skuadra më duket mirë e përforcuar në merkato e po ashtu me disa elementë që ka nga sezoni i shkuar, besoj se do krijohet një ekip shumë i fortë. Do kalojnë ndoshta 3-4 javë që ekipi të konsolidohet totalisht, por kjo është një Vllazni që garanton në syrin tim.
Skuadrën e drejton Edi Martini, njeriu i duhur për të risjellë titullin në Shkodër?
Fillimisht i uroj suksese atij dhe Sinanit, janë dy djem që i kam trajnuar dhe i njoh mirë. Me ta sollëm titullin në Shkodër para 24 viteve dhe besoj se Martini ka gjithçka për të qenë i suksesshëm sërish. E njeh futbollin shqiptar, ka eksperiencë, por ka edhe grintë, të cilën e kishte kur luante edhe vetë. Me një personazh të tilë në drejtim, Vllaznia mund të shkojë drejt sukseseve dhe titujve.