Tre ditë më parë, ish- trajneri dhe ish- drejtori i SK Vllaznia Mark Kroqi lëshonte në mediat sociale dhe në media një apel për gjendjen e volejbollit në Shkodër. Ai shkruante: Volejbolli në Shkodër në prag të kolapsit. Asnjë ditë stërvitje, asnjë kontratë me sportistët! Presidenti….., Bashkia paguan dhe gërhet”.
Pikërisht kjo situatë amullie e kolapsi duket se ka filluar t’i japë efektet e veta. Kjo pasi një nga volejbollistët, tashmë e ka “braktisur” Vllazninë dhe ka zgjedhur të luajë me një skuadër tjetër të kampionatit shqiptar në sezonin 2025-2026.
Bëhet fjalë për Visar Lleshin. Pas 6 vitesh si volejbollist i Vllaznisë, tashmë ai ka ndryshuar skuadër. Dhe ka qenë vetë 25 vjeçari i cili e ka bërë të ditur një gjë të tillë teksa ka publikuar një foto me fanellën e ekipit të Studentit, pjesë e të cilit ai tashmë është për sezonin e ri.
Nuk përjashtohet mundësia që pas Lleshit, të ketë edhe ndonjë volejbollist tjetër shkodran që do të largohet, megjithatë shpresat janë që drejtuesit e Shoqatës së Volejbollit të Vllaznisë të reagojë shpejt dhe të nisin punën për ta kompletuar sa më parë skuadrën, fillimisht duke firmosur me lojtarët aktualë të saj dhe pastaj për të shpresuar edhe ndonjë firmë me ndonjë volejbollist tjetër.(www.shkodrasport.com)