Nga Endri ÇINARI

Vllaznia B tashmë këtë sezon do militojë në Kategorinë e Tretë të futbollit tonë, me kuqeblutë që si synim kanë ngjitjen një ligë më sipër në fund të edicionit. Ku tashmë përgatitjet kanë nisur prej kohësh dhe skuadra po plotësohet nga dita në ditë. Skuadra e dytë e Vllaznisë së fundmi ishte përballë edhe në një miqësore kundër ekipit A, pavarësisht se për skuadrën e drejtuar nga Martini duhet theksuar se në fushë ishin “linjat e dyta”

Paraqitja e ekipit B në miqësoren e humbur 4-3 ndaj skuadrës A ishte goxhq bindëse. Me disa elementë të njohur nga Kategoria e Parë apo edhe e Dytë që i janë bashkuar ekipit të drejtuar nga Bizi gjatë kësaj vere. Ku janë disa futbollistë shkodranë që pavarësisht në një moshë të re, por me një eksperiencë të konsiderueshme që mund të ndihmojnë skuadrën në arritjen e objektivave.

Kështu emra si: Daija, Papaj, Temja apo Xhahysa do japin kontributin e tyre gjatë këtij edicioni tek kuqeblutë. Të gjithë emrat e sipër përmendur me përjashtim të Xhahyses ishin në fushë në miqësoren ndaj ekipit A të Vllaznisë. Duke treguar kështu cilësitë e tyre dhe që pritet të jenë të rëndësishëm për skuadrën gjatë edicionit futbollistik. Por, patjetër gjatë ndeshjeve sezonale, Vllaznia B mund të “përforcohet” edhe me futbollistë nga ekipi i parë.

Lojtarë që nuk gjejnë dot hapësirat në Superiore, por që mund të japin kontributin e tyre për ngjitjen e ekipit B në Kategorinë e Dytë në fund të sezonit. Me bazën e skuadrës që do jetë me futbollistë shkodranë, por duke mos përjashtuar as afrimin e ndonjë elementi interesant nga jashtë vendit.(www.shkodrasport.com)