Juventusi jep shenjat e para të ringritjes. Fitorja 2-1 ndaj Borusia Dortmund në miqësoren e fundit ka treguar një progres të dukshëm krahasuar me barazimin 2-2 ndaj Rexhianas.
Ekipi i Igor Tudor po fiton identitet, duke u bazuar në intensitetin e lojës dhe presionin e lartë për rikuperimin e topit pranë zonës kundërshtare. Yildiz dhe Francisko Konsesaio shfaqën liri krijuese, duke dhënë sinjale inkurajuese për tifozët bardhezi.
Në repartin defensiv, Bremer po kthehet gradualisht në fushë pas një mungese të gjatë, ndërsa blerja e re, David, është ende në fazën e përshtatjes me ritmin e ekipit dhe kërkesat e trajnerit.
Në merkaton e verës, emri i madh që qarkullon është ai i Randal Kolo Muani. Sulmuesi francez shihet si përforcimi ideal për t’i dhënë Juventusit më shumë shpejtësi dhe eficencë në fazën sulmuese. Megjithatë, afrimi i tij është i kushtëzuar: ai do të vijë vetëm nëse klubi arrin të realizojë disa shitje.
Lista e lojtarëve të mundshëm për largim përfshin emra të rëndësishëm si Dushan Vlahoviç, Dagllas Luiz, Fabio Mireti – për të cilin Napoli ka treguar interes konkret – si dhe Niko Gonzalez, Nikolo Savona dhe Lloid Kelli. Pa këto dalje, operacioni për Kolo Muanin mbetet i bllokuar.
Formula e marrëveshjes e diskutuar me PSG parashikon një huazim me pagesë rreth 10 milionë euro, të shoqëruar nga një detyrim blerjeje mes 30 dhe 35 milionë eurove. Drejtuesit bardhezi shpresojnë që brenda javëve të ardhshme të mbyllin lëvizjet hyrëse dhe dalëse, për t’i dhënë Tudor-it një skuadër të plotë për startin e sezonit.
Optimizmi në Kontinasa është i moderuar, por sinjalet nga fusha dhe merkato tregojnë një Juventus që po e ndërton me kujdes identitetin e tij të ri, i gatshëm për të qenë protagonist në Serie A dhe Europë.