Kombëtarja shqiptare U-17 luajti pasditen e sotme ndeshjen e parë miqësore ndaj Italisë U-17. Sfida e zhvilluar në “Centro Tecnico Federale di Coverciano” u mbyll me fitoren e italianëve 4-1. Golin e vetëm për Shqipërinë e shënoi Dion Vata.
Trajneri Fatjon Tafaj e nisi ndeshjen me këtë formacion titullar: Simon Lleshi (C), Xhoel Mezani, Kostantinos Varesis, Enea Bilishti, Dion Vata, Petro Marku, Eris Kurtulaj, Kledi Qosja, Majkol Luka (C), Ermal Ymeri, Frensi Mali. Siç shikohet, në formacionin e parë kanë qenë tre shkodranë, Eris Kurtulaj që luan me Vllazninë, Ermal Ymeri që luan në Suedi dhe kapiteni Majkol Luka që luan me Fiorentinën.
Shqipëria kaloi në avantazh në minutën e 20-të. Pas një harkimi në zonë, Marku me kokë goditi shtyllën dhe topi i kthyer u shty në rrjetë nga Vata.
Italia barazoi në minutën e 29-të me Samuele Pirola dhe përmbysi rezultatin në fund të pjesës së parë me Gioele Giammattei, duke e mbyllur fraksionin e parë 2-1.
Pjesa e dytë ishte e luftuar nga të dyja ekipet. Trajneri Tafaj aktivizoi Dodajn, Uldedajn, Shahinin, Mulkian dhe Matrakun. Rasti më i mirë për barazim erdhi në minutën e 86-të me shkodranin Uldedaj, por topi nuk përfundoi në rrjetë.
Në minutën e fundit të kohës së rregullt, Italia shënoi edhe golin e tretë me Diego Perillo, ndërsa në kohën shtesë realizoi edhe Mattia Guaglianone dhe ndeshja u mbyll 4-1.
Takimi i dytë miqësor Itali U-17 – Shqipëri U-17 do të luhet më 14 gusht, në orën 11:00, në “Centro Tecnico Federale di Coverciano”.9