Nga Maringlen ZHIVANI

Skuadra e Vllaznisë në futsall ka zhvilluar një ndeshje miqësore në Ulqin ndaj ekipit vendas, ku arriti të marrë një fitore të rëndësishme me rezultatin 7-5. Protagonisti absolut i sfidës ishte Djepaxhia, i cili shkëlqeu me katër gola, duke treguar formë të shkëlqyer para startit të ndeshjeve të UEFA Champions League.

Fitoren e kuqebluve e vulosën gjithashtu Loloviç, që shënoi dy herë, si dhe portieri Behari, autor i një goli të bukur në fundin e takimit. Ndeshja ishte mjaft dinamike dhe me ritëm të lartë nga fillimi, teksa të dyja skuadrat u përpoqën të dominonin lojën.

Pas minutave të para të ekuilibruara, Vllaznia arriti të vendosë kontrollin falë sulmit efikas dhe lojës kolektive, duke u treguar më e qartë para portës. Për trajnerin shkodran Alsid Tafili, kjo përballje ishte një mundësi e mirë për të testuar gjendjen fizike të lojtarëve, për të provuar disa skema të reja dhe për të parë harmoninë brenda grupit.

Nga ajo që u pa në fushë, ekipi duket se po shkon drejt konsolidimit dhe është gati për sfidat që e presin në Champions League. Fitoret në miqësore nuk kanë vetëm rëndësi morale, por tregojnë se Vllaznia Futsall po ecën në rrugën e duhur.

Me një lojë të organizuar dhe me lojtarë në formë si Djepaxhia e Loloviç, kuqeblutë duken të gatshëm për ndeshjet e UEFA Champions League, por të jenë përsëri mes pretendentëve kryesorë për titull.(www.shkodrasport.com)