Nga Maringlen ZHIVANI
Dy menaxherët Erkan Sulejmani, ish-futbollist i Vllaznisë, dhe menaxheri tjetër shkodran Ervis Domnori, kanë finalizuar një tjetër lëvizje të rëndësishme në tregun ndërkombëtar të futbollit. Këtë herë, ata kanë ndërmjetësuar transferimin e ish-mesfushorit të Lazios, Bruno Jordao drejt klubit bullgar CSKA Sofia, një prej emrave më të njohur në futbollin e Europës Lindore.
Ky operacion është konsideruar një sukses i madh, duke marrë parasysh nivelin e lojtarit dhe eksperiencën e tij në Serie A, si dhe peshën që ka CSKA Sofia në kampionatin bullgar dhe në arenën ndërkombëtare. Më parë, Jordao ka luajtur me ekipe si Lazio, Wolves, Famalicao, Grasshopper apo edhe Santa Clara.
Menaxherët Sulejmani dhe Domnori kanë ditur të shfrytëzojnë kontaktet e tyre në futbollin evropian për të realizuar një marrëveshje që pritet të ketë jehonë të madhe në Bullgari.
Për Sulejmanin, i cili në të kaluarën ka mbajtur veshur fanellën kuqeblu të Vllaznisë, dhe për Domnorin, ky nuk është transferimi i parë i suksesshëm, por pa dyshim është një nga më të spikaturit, duke i pozicionuar edhe më fort në tregun e menaxherimit ndërkombëtar.(www.shkodrasport.com)