Nga Endri ÇINARI
Pavarësisht se Vllaznia luajti një ndeshje të kampionatit ditën e shtunë, ku triumfoi ndaj Partizanit në shifrat 4-1, shkodranët nuk pushuan aspak të dielën. Skuadra Martinit nën urdhërat e vetë trajnerit shkodran, por edhe stafit të tij teknik ka zbritur në fushën stërvitore vetëm një ditë pas fitores me të kuqtë. Një seancë që është zhvilluar në stadiumin “Loro Boriçi” dhe ka parë në aksion 9 herë kampionët e vendit edhe në fundjavë.
Stërvitja ka qenë e një tipi rikuperues dhe pa ndonjë ngarkesë shumë të madhe për futbollistët. Ku kryesisht ka qenë e bazuar tek vrapimet e lehta dhe disa lojëra me top brenda grupit. Një intensitet më të lartë disi ka pasur për futbollistët të cilët nuk patën minuta të shumta në ndeshjen kundër Partizanit. Me grupin e futbollistëve që ka qenë i plotë, ku edhe Qato që nuk ishte pjesë e sfidës me të kuqtë ishte pjesë e seancës stërvitore.
I vetmi i munguar ishte Aron Jukaj, me portierin që ka pësuar një dëmtim në shpatull së fundmi që mendohet ta lërë jashtë fushave të lojës për një muaj. Në këtë mënyrë kuqeblutë i kanë dhënë fund javës me një seancë stërvitore, ku ditët e pushimit për futbollistët besohet të jenë në këtë fillim jave.
Me skuadrën që në mesjavë do rikthehet sërish në përgatitjet e zakonshme dhe për të menduar për ndeshjen e rradhës. Që do jetë ajo kundër Teutës në transfertë ditën e dielë në orën 19:00.(www.shkodrasport.com)