Nga Endri ÇINARI
Një pikë që vijon të konfirmohet e fortë për Vllazninë që nga marsi i këtij viti janë ndeshjet shtëpiake. Stadiumi “Loro Boriçi” është shndërruar në një “fortesë” për kuqeblutë, ku kundërshtarët e kanë thuajse të pamundur për të dalë me pikë nga Shkodra. Edhe këtë edicion në dy ndeshjet e zhvilluara deri më tani në shtëpi, shkodranët kanë një rekord absolut prej 100% të fitoreve. Dhe kjo ndaj skuadrave si Egnatia dhe Partizani, që konsiderohen ndër pretendentët dhe ekipet kryesore të kampionatit.
Kështu kuqeblutë në dy ndeshje të zhvilluara në shtëpi kanë marrë 6 pikë. Kjo falë fitoreve 2-0 ndaj Egnatias në javën e parë të edicionit dhe kësaj të fundit me rezultatin 4-1 kundër Partizanit. Në këtë mënyrë duke shënuar edhe 6 gola në dy ndeshje e pësuar vetëm një të tillë, statistika që patjetër tregojnë për një skuadër shumë të fortë në shtëpi. Ku shkodranët kanë dominuar jo vetëm në rezultat, por edhe në lojë ndaj kundërshtarëve që kanë mirëpritur në Shkodër dhe në stadiumin “Loro Boriçi”.
Ndeshjet shtëpiake me të vërtetë kanë qenë një faktor që janë shfyrtëzuar më së miri tek Vllaznia. Ku shkodranët kërkojnë gjithmonë maksimumin në momentet ku skuadra luan përballë tifozëve dhe në shtëpinë e saj.
Një rekord 100% të fitoreve deri më tani në Superiore ka edhe Elbasani. Por verdheblutë kanë një golavarazh më të dobët se Vllaznia, me ekipin e Gvozdenoviç që ka shënuar 2 gola në dy fitoret minimale 1-0 ndaj Dinamos dhe Flamurtarit.(www.shkodrasport.com)