Presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka, ishte i ftuar në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu në TV Klan, ku foli për organizimin perfekt të mbledhjes historike të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s në Tiranë, ku morën pjesë përfaqësues të lartë të futbollit europian, së bashku me Presidentin e UEFA-s, Aleksander Čeferin.
Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar foli edhe për shanset e Shqipërisë për të pritur finalen e Superkupës së Europës në vitin 2028 dhe shpjegoi zhvendosjen e ndeshjes Serbi–Shqipëri në Leskovac për arsye sigurie, si dhe përgatitjet e Kombëtares për këtë sfidë dhe miqësoren me Jordaninë.
INTERVISTA E PLOTË:
Sa kohë kishte që ishte njoftuar mbledhja e KE të UEFA-s në Tiranë?
– Vendimi për t’u mbledhur në Tiranë është marrë që në vitin e kaluar. Është bërë një traditë në tre vitet e fundit që një nga mbledhjet vjetore të KE të UEFA-s bëhet jashtë Zvicrës, mbledhja e muajit shtator. Aktiviteti total ishte pothuajse dy ditë. Mbledhja ishte tre orë. Gjithmonë mbledhja e shtatorit shoqërohet nga Festivali i Futbollit për shkollat, që është aktiviteti futbollistik ku luajnë disa yje të futbollit, Presidenti i UEFA-s dhe presidentë të federatave të tjera.Te ne ishin fëmijë të shkollave, stafi i Kombëtares, Silvinjo, Doriva dhe Zabaleta, Presidenti i UEFA-s, Luis Figo, Jahmir Hyka dhe Luçije Gjini. Ndeshja ishte demonstrative, për të sensibilizuar fëmijët, jo vetëm ata që janë në fushë, por edhe ata që e ndjekin, për të qenë më afër futbollit. Në fakt, filloi një lloj grinte dhe Silvinjo po u ankonte për arbitrin (qesh). Silvinjo e humbi ndeshjen.
Finalja e Superkupës Europiane në Tiranë?
– Nuk ishte rastësore. Ka kohë që ne kemi filluar të vëmë radhën që edhe ne mund të jemi një vend kandidat për Superkupën. Është maksimumi që mund të realizojmë në kushtet që janë, dhe Superkupa ka vështirësitë e veta të kapacitetit të stadiumit, sepse gjithë të tjerat janë në rregull. Uroj që në 2028 Superkupa mos të bëhet me 4 skuadra, se mbase pastaj bëhet e pamundur, por të jetë me një finale siç është edhe tani.
Me një finale, Tirana ka shanse ta marrë. Për cilin vit bëhet fjalë?
– Kapaciteti i stadiumit është disi i limituar. Kërkesa jonë është për në vitin 2028, sepse për në 2027 edhe ne e kemi të pamundur, sepse kemi Kampionatin Europian të 21-vjeçarëve.
Megjithatë, stadium prej 20 mijë vetësh kam përshtypjen është shumë i vogël për një finale europiane?
– Finalja e Superkupës luhet në gusht. Interesi gjithmonë varet nga ekipet që janë. Këtë vit u luajt në Udine, ku ishte PSG dhe Tottenham, kishte goxha interes. Edhe në një stadium të tillë, pavarësisht se ka kritere për një kapacitet akoma më të madh.
Opinioni i Ceferin dhe pjesëtarëve të tjerë?
– Këtë doja të thosha. Duke pasur parasysh ata që vendosin dhe vlerësojnë organizimin dhe mikpritjen shqiptare, mund të jetë një gjë më tepër.
Kemi dhe një rekord pozitiv të tre viteve më parë me finalen e Conference League, apo jo?
– Ne, në të gjitha organizimet, kemi rekorde pozitive. Finalja e Conference League është kulmi i aktiviteteve më të mëdha që ne kemi organizuar, dhe Kampionati Europian U-17. Edhe të gjitha aktivitetet e tjera, siç ishte kjo e Komitetit Ekzekutiv, turne kualifikues që ne bëjmë, mbi 10 të tillë çdo vit. Kemi eksperiencë dhe kemi treguar që dimë ta bëjmë, jo vetëm ne, por të gjithë faktorët lokalë si qeveria, i mbështesin aktivitetet e tilla, janë mirëkuptues dhe në përgjithësi kanë shkuar mirë.
Roli i Nasser Al-Khelaifi te Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s?
– Nasser Al-Khelaifi është Presidenti i ECA-së, i shoqatës së klubeve, dhe automatikisht është anëtar i KE të UEFA-s. Ishte në mbledhje si anëtar i KE të UEFA-s. Ka vite që është anëtar në të njëjtën kohë me mua. Është pjesëmarrës në të gjitha mbledhjet.
E vizituan Tiranën?
– Me përjashtim të disa anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv, Presidenti i Federatës Gjermane, Daneze dhe disa të tjerë patën mundësi më shumë, sepse erdhën në datën 9 dhe panë edhe ndeshjen kundër Letonisë. Bënë një vizitë në Tiranë dhe një në Krujë, te Kalaja.
Pjesa më e madhe e pjesëmarrësve ishin për herë të parë në Tiranë?
– Mbledhja e KE të UEFA-s ka një numër të limituar dhe në mbledhje marrin pjesë anëtarët e KE të UEFA-s dhe anëtarët e Këshillit të FIFA-s. Por bashkë me administratën e UEFA-s janë edhe rreth 100 persona të tjerë që marrin pjesë, që përgatisin mbledhjen dhe çështjet administrative për t’u diskutuar. 80% e tyre ishin për herë të parë në Shqipëri. Një pjesë e tyre kanë qenë për finalen e Conference League dhe ndonjë që ka pasur ndeshje ndaj Shqipërisë.
Përshtypja që kishin nga vizita?
– Të gjithë thonë fjalë të mira. Besoj që ishte organizuar mirë nga të gjitha këndvështrimet dhe ikën me përshtypje pozitive. Kam përshtypjen që çdo njeri që vjen në Shqipëri për çdo lloj aktiviteti, qoftë edhe si mysafir në një familje shqiptare, ikën me përshtypjet më të mira. Ne e kemi gjenetike, kemi shumë dëshirë që t’i respektojmë njerëzit. Është një nga karakteristikat e mira të shqiptarëve që kanë dëshirë ta bëjnë tjetrin të ndihet mirë. Edhe në kohën kur nuk kemi qenë mirë ekonomikisht, shkonim dhe merrnim borxh për të pritur mikun mirë, gjë që nuk e bëjnë të tjerët. Këtë e bëjmë sepse e ndjejmë, jo me hipokrizi. Organizimi ishte shumë mirë dhe nuk kishte pothuajse asnjë vërejtje.
Darka, a ishin të kënaqur?
– Ne dhe personat që mbulojnë këtë proces në UEFA ishim dakord që të kishim një darkë shqiptare, jo vetëm nga menuja, por edhe nga aktiviteti i gjithë që u bë aty. Demonstruam veshjet, traditat dhe këngët shqiptare. Ishte një gjë e mirë, që për aq pak kohë sa ishin në Tiranë, nëpërmjet darkës të kuptonin diçka nga kultura shqiptare.
Po ndonjë dhuratë u bëre kur ikën?
– U bëmë dhurata. Është traditë që të gjithë bëjnë dhurata. Dhurata që ne bëmë ishte një copë qilimi shqiptar i punuar me dorë, shumë i bukur, një kollare e punuar në mënyrë artizanale shqiptare, po me motive shqiptare. Është bërë edhe një pikturë e madhe në stadiumin “Air Albania”, sa e gjithë fusha, dhe premë pjesë të saj. Një nga këto, mbase e patë, ia dhuruam edhe Kryeministrit. Ishin dhurata simbolike, por që thoshin diçka.
Si shkoi takimi me Kryeministrin?
– Kryeministri e ka një nga armët më të forta takimet dhe pritjet. Na priti në “Eden Park”, në fakt edhe unë e kisha për herë të parë. Një gjë e veçantë dhe e bukur, ju bëri përshtypje të gjithëve. U ngjitëm të gjithë deri në majë, kishim të gjithë kuriozitet.
Ishte një pritje shumë miqësore, e ngrohtë, diskutim i lirë, jo aq shumë protokoll. Njerëzit u ndjenë mirë dhe morëm edhe nga një shishe verë dhuratë nga Kryeministri. Bëmë bisedë rreth futbollit. Rama është njeri që e ndjek futbollin e klubeve dhe të Kombëtareve, ka informacion dhe ka dëshirë të komunikojë për futbollin. Diskutimet ishin rreth futbollit, padyshim që ne e dërguam bisedën edhe aty ku kishim në një lloj mënyre qëllimin tonë, organizimet e ardhshme.
Temat kryesore që u diskutuan te mbledhja e KE të UEFA-s?
– Kishte disa vendime për zhvillimin e finales së Champions League në vitin 2027, finalja e Champions League për vajza, për futsallin, disa ndryshime rregulloresh për futbollistët që aktivizohen. Kishte goxha diskutime dhe vendime për emërimin e disa eventeve të viteve të ardhshme.
Në fund, pasi mbaroi i gjithë aktiviteti, u ndjeve i lehtësuar?
– Të nesërmen pasi të gjithë ikën, u ndjeva vërtet i lehtësuar. Është gjithmonë një lloj përgjegjësie kur ke një aktivitet të tillë. Isha marrë shumë me aktivitetin dhe organizimin. Për ne janë shumë të rëndësishme.
Të bësh një mbledhje të KE të UEFA-s në Paris apo Munich, nuk besoj që bën lajm, as për Gjermaninë dhe as për Francën. Ndërsa për ne bën lajm. Na bën mirë, sepse në fund të fundit promovojmë atë që kemi objektiv tonë, lojën. Ka më shumë vëmendje për lojën, më shumë njerëz mund të vijnë të luajnë. Për komunitetin e futbollit është shumë e mirë, por në një lloj mënyre edhe për vendin. Ne jemi një vend i vogël, i bukur, që kemi nevojë për çdo lajm pozitiv rreth vendit tonë.
Pse u ndryshua stadiumi i ndeshjes për ndeshjen Serbi – Shqipëri?
– Ndeshja vendoset nga FIFA sepse këto janë eliminatore të Botërorit. Ka afate për vendosjen e stadiumeve. Federata e Serbisë kishte vendosur që ndeshja të zhvillohej në Beograd, në stadiumin e Crvena Zvezda, por pas ndeshjes me Anglinë, ku ata, për shkak të situatës politike në Serbi dhe njerëzit në stadium nuk kishin shumë konflikt me anglezët, por me veten, kanë kërkuar nga ne dhe FIFA që të ndryshojnë vendin e organizimit dhe të shkojmë në Leskovc. Ne e kemi pranuar këtë kërkesë. Stadiumi është shumë i mirë, shumë i vogël, rreth 8 mijë vende. Është më i kontrolluar dhe besoj se do jetë më i mirë nga pikëpamja organizative dhe për ta. Është më mirë Leskovac, sepse nëse do ishte më keq ne do të insistonim që ta luanim në Beograd.
Tifozë shqiptarë në Serbi?
– Në një marrëveshje, ne nuk kemi pranuar që të kemi tifozë serbë në Shqipëri dhe as ata të kenë tifozë shqiptarë në stadium.
Kur niset ekipi për Serbi?
– Ndeshja luhet më 11 tetor dhe ekipi do të udhëtojë më 10 tetor në Nish. Do të akomodohemi në një hotel mes Nishit dhe Leskovcit. Do të luajmë ndeshjen dhe do të kthehemi për miqësoren me Jordaninë. Është një ndeshje e rëndësishme për klasifikimin në grup. Gjërat e tjera nuk duhen menduar. Ekipi ka eksperiencë dhe di të ndajë gjërat. Nga pikëpamja sportive ekipi është mirë.
Aq mirë sa me Gjilbraltarin?
– Gjilbraltari ishte një ndeshje miqësore, me një ekip eksperimental ku kishim disa futbollistë debutues.
Nëse Shqipëria nuk merr rezultatin e duhur me Serbinë, a rrezikohet kontrata e Silvinjos?
– Nëse ne do të kualifikohemi në Botëror, Sylvinho padyshim që do të jetë trajneri ynë në të ardhmen. Nëse nuk do të kualifikohemi në Botëror, kjo gjë diskutohet shumë.
Miqësorja me Jordaninë në Tiranë
– Ne duhet t’i plotësojmë ditët boshe me miqësore kur nuk kemi ndeshje zyrtare. Kemi edhe interes sportiv dhe ekipet kundërshtare europiane që janë pushim në atë datë ishin të zëna. Dhe për këtë arsye dolëm jashtë Europës. Jordania është një ekip i kualifikuar në Kupën e Botës dhe është një kundërshtar i denjë për të bërë një ndeshje miqësore.