Nga Endri ÇINARI
Skuadra e Vllaznisë i është rikthyer proceseve të zakonshme stërvitore ditën e martë. Me shkodranët që kanë shijuar vetëm një ditë pushimi, që ishte e hëna. Për t’u rikthyer menjëherë nën urdhërat e Martinit dhe stafit të tij. Në mënyrë që skuadra të rinisë menjëherë me ritmin e zakonshëm dhe po ashtu të fillojë të mendojë për ndeshjen e rradhës që është ajo ndaj Teutës ditën e dielë. Duel që është i vlefshëm për javën e katërt të Superiores, ku shkodranët duan të vijojnë me rezultatet pozitive.
E në këtë mënyrë për të krijuar një vazhdimësi edhe në ndeshjet jashtë fushe e jo vetëm ato shtëpiake. Kështu shkodranët menjëherë kanë nisur me ritëm këtë javë, duke marrë ngarkesën e plotë e duke zhvilluar edhe disa vendosje taktike në fushën e lojës. Me trajnerin Martini që i ka kushtuar një vëmendje disi më të veçantë rreshtimit në prapavijë. Ku edhe ndaj Partizanit pavarësisht fitores së thellë 4-1, kishte disa momente ku kuqeblutë u gjendën zbuluar mbrapa.
E pikërisht këtë kërkon të përmirësojë dhe shmangë trajneri shkodran në duelet e ardhshme. Po ashtu 50-vjeçari mund të gëzojë sepse grupi i futbollistëve ka qenë i plotë dhe mundësitë për të zgjedhur mes tyre është mjaft i madh. I vetmi lojtar që do vijojë të mungojë për disa javë është Aron Jukaj, pavarësisht se ky i fundit ka nisur menjëherë fazën e rikuperimit.
Ku 20-vjeçari ka zhvilluar vetëm vrapime përkohësisht. Me portierin që ka pësuar një dëmtim në shpatull para pak ditësh dhe në këtë mënyrë nuk do ketë mundësi të zbresë në fushën e lojës dhe japë kontributin e tij për të paktën 3-4 javët e ardhshme.(www.shkodrasport.com)