Vllaznia e ka nisur me vrull kampionatin dhe ecuria e saj në tre ndeshjet e para duket përgjithësisht e mirë. Megjithatë rruga deri në fund është e gjatë dhe kuptohet që duhet bërë shumë kujdes. Ish- futbollisti i saj Kujtim Shaba ka folur për median e shkruar dhe është ndalur edhe tek ndeshja e së dielës ndaj Teutës.
“Mendoj se Vllaznia ka bërë një fillim siç pritej, skuadra këtë sezon nga përbërja që ka dhe është ndërtuar ka qartë ambicie të mëdha. Ambiciet e mëdha po ashtu vijnë nga një futboll cilësor dhe Vllaznia e ka shfaqur deri më tani. Skuadra ka merituar pikët në fushën e lojës e ndoshta mund të kishte edhe më shumë të tilla.
Sepse ajo humbje me Dinamon pavarësisht rezultatit 3-1 për kundërshtarër, për ata që kanë parë ndeshjen diferencat nuk ishin të tilla. Por, këto ndodhin në futboll dhe ekipi reagoi siç duhet me fitore kundër Partizanit.
Ndërkohë sa i takon ndeshjes së rradhës, dua të them se Teuta ka ndryshuar këtë sezon. Ka një ekip shumë më të fortë se edicionin e shkuar me atë çfarë kam parë deri më tani.
Pra, janë një kundërshtar që duhet respektuar gjithmonë dhe them se do jetë një përballje e fortë. Por, kam një besim që Vllaznia e kalon me sukses këtë provë dhe vijon në rrugën e rezultateve pozitive. Dhe me këtë besoj se arrin një fitore të dielën”.