Eni Imami skanon prag ndeshjen Vora-Flamurtari. Si një “ish” i të dyja skuadrave bën tifo vetëm për lojën e bukur. Gjatë një interviste për “Panorama Sport”, Imami e shikon një lojë të luftuar dhe që do të prodhojë gola. Thotë se Flamurtarin nuk e shikon për titull, pasi me gjithë shpenzimet e mëdha ka marrë lojtarë që nuk e njohin Superioren. Në garën për trofe shikon Dinamon, Vllazninë dhe Egnatian. Kritikon faktin se në Vlorë nuk të japin kohë, por i duan gjërat sot për sot. Këtë gjë e shikon si një gabim që përsëritet duke ndërtuar nga e para skuadrën çdo 6 muaj. I vjen keq që nuk arriti të festonte Superiore me Flamurtarin.
Imami, sot luhet Vora-Flamurtari, si e parashikon?
Mendoj se do të jetë një perballje e luftuar. Unë besoj se edhe golat nuk do të mungojnë pasi janë ekipe që u duhen pikë për vazhdimësinë.
Për kë do të bësh tifo nga të dyja skuadrat?
Tifo për futbollin si gjithmonë. Jam fans i lojës së bukur dhe jo të mërzitshme. Prandaj uroj të bëhet një ndeshje e tillë.
Flamurtari dhe Vora u ngjitën në Superiore, si ndihesh për këtë?
Më vjen mirë për të dy ekipet. Pak më shumë për Flamurtarin sepse ka shpenzuar pafund për të qenë aty. Ndryshe nga Vora që ishte më saktë dhe formoi një grup ndryshe nga Flamurtari që e ndryshon grupin çdo 6 muaj dhe forcën e ka tek paratë dhe që mund të marrë lojtarë që bëjnë diferencën.
Të vjen keq që nuk ishe të festoje ngjitjen me Flamurtarin?
Më vjen keq të them të drejtën sepse kishim një grup të mirë. Por besoj se duke patur shpenzime të mëdha ndoshta pritshmëritë ishin sot për sot dhe jo në vazhdimësi siç duhet të funksionojë një ekip por që rëndësi ka që tifozët e atij ekipi kanë mundësi ta shijojnë më në fund pas shumë peripecish të kaluara vitet e fundit.
Si e shikon ecurinë e Flamurtari në këto javë të para?
Mendoj që duan kohën e vetë dhe fatkeqësisht në Vlorë nuk ka kohë. Te Flamurtari funksion: “Unë të paguaj sa ti kërkon dhe dua rezultat sot”. Për mendimin tim kjo është e gabuar por që në fund thjeshtë një mendim është.
Objektivat janë madhorë, i shikoni vlonjatët për titull?
Jo absolutisht që jo për titull. Keq më vjen sepse kur paguhesh me ato shifra të paktën me sa kemi dëgjuar në gazetë që objektivat i kanë për kampion. Por ata janë lojtarë që shumica nuk e njohin kampionatin.
Cilat ekipe shikon për titullin kampion?
Unë për titull mendoj se janë Dinamo, Vllaznia dhe Egnatia. Vlonjatët i shikoj larg, të paktën deri tani.
Si të duket Superiore këtë sezon?
Në krahasim me vitet qe isha vetë pjesë…është shumë më keq! Atëherë ishim ekipe që nuk dihej kush ishte kampion. Kukësi me yje, Skënderbeu, Tirana, Partizani, Laçi i fortë. Vllaznia me lojën e bukur historikisht. Flamurtari me yje, por prapë…
Aktualisht jeni pjesë e Kukësit. Si ndiheni?
Ndihem mirë. Jam kthyer në një vend që ndiej dashuri. Më kanë dhënë shumë dhe uroj t’ua kthej në të njëjtën mënyrë.