Skuadra e Leçes po noton në ujëra të turbullta në kampionat dhe shumëkush pret që gjatë mesjavës, në Kupën e Italisë, trajneri Eusebio Di Françesko, të mendojë më shumë për të përgatitur ndeshjet e Serisë A.
Shorti e ka vënë Leçen përballë një misioni të vështirë, pasi si kundërshtar në këtë pikë të turneut ka Milanin i cili ka gjetur një shtysë të re nën drejtimin e Masimiliano Alegrit.
Dhe sipas mediave italiane, për këtë ndeshje planifikohet një rotacion me disa futbollistë, të cilët duhet t’i tregojnë teknikut sa vlejnë për të rifituar vend në kampionat.
I pari është Medon Berisha, të cilit pritet t’i besohet pozicioni i regjisorit në fushë, në një detyrë mjaft të vështirë përballë emrave të njohur ku padyshim spikat ai i Luka Modriç. Ndërkohë, në sulm trajneri pritet të hedhë në fushë nga fillimi një emër që i është bashkuar Leçes pikërisht nga Milani, Françesko Kamarda, për të cilin minutazhi ka qenë i reduktuar në këto javë të para.