HomeFUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREI kudonodhur në fushën e lojës, një tjetër futbollist 'zhbllokohet' te Vllaznia

I kudonodhur në fushën e lojës, një tjetër futbollist ‘zhbllokohet’ te Vllaznia

Nga Endri ÇINARI

Ishte një nga futbollistët më në formë të Vllaznisë gjatë Conference League, ku shënoi dy herë dhe asistoi po dy herë në katër ndeshjet që zhvilluan kuqeblutë në Europë. Fjala është për Esat Malen, i cili vijon të jetë një nga futbollistët më të rëndësishëm të kuqebluve. Edhe në ndeshjen e fundit ndaj Teutës, e zhvilluar ditën e dielë dhe e përfunduar në barazim 1-1, prizrenasi ishte një nga më të mirët në fushë për të dy skuadrat. Madje shënoi mjaft bukur edhe me të majtën golin e avantazhit të përkohshëm të shkodranëve në minutën e 24-ët të takimit.

Por, jo vetëm goli ishte ai që i dha vlera Males, ku edhe loja si zakonisht ishte e një niveli shumë të mirë nga ana e ish-futbollistit të Partizanit. Me 26-vjeçarin që e nisi lojën si një mesfushor pas sulmuesit dhe jo si zakonisht në krahun e djathtë, që është edhe pozicioni i preferuar i numrit “20-të”. Me kalimin e minutave dhe zëvendësimet në rradhët e 9 herë kampionëve të vendit tonë, Mala u “transferua” në pozicionin e tij natyral. Duke kaluar në krahun e djathtë në minutat kur Kastrati u largua nga fusha e lojës.

Megjithatë në minutat e fundit të lojës dhe pas zëvendësimit të Bismark, shtatshkurtëri ishte mbështetësi kryesor në sulm për Balajn. Duke kaluar kështu në rolin e një sulmuesi të dytë dhe sërish duke sakrifikuar për skuadrën dhe nevojat e saj. Me Malen që edhe në sezonet e shkuara ka treguar një polivalencë tek shkodranët, të cilët mund të mbështeten gjithmonë tek cilësitë dhe eksperienca e mesfushorit. Ku zhbllokimi i tij patjetër është një lajm shumë pozitiv, duke qenë se Mala është nga ata futbollistë që gjendet shpesh në zonat e kundërshtarit.

Për mesfushorin ky është sezoni i tij i katërt në rradhët e kuqebluve, duke e bërët atë një nga futbollistët më stabël të epokës Xhaferri. Sezonin e shkuar ai përjetoi edhe edicionin më të mirë në karrierë personalisht, ku me Vllazninë gjatë kampionatit shënoi 7 herë dhe dhuroi 12 asiste. Statistika që patjetër Mala do kërkojë t’i përmirësojë jo vetëm për kënaqësi personale, por edhe për të ndihmuar skuadrën për të arritur objektivat sezonalë.(www.shkodrasport.com)

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments