Futbolli shqiptar i viteve ’80 ka qenë ndër më bukurit që është luajtur në vendin tonë dhe pjesë e atij brezi kanë qenë emra të mëdhenj që kanë shkruar historinë e këtij sporti. Në fakt, shumë prej këtyre legjendave do të kemi mundësinë t’i shohim sërish duke luajtur në fushën e lojës.
Do të ndodhë pikërisht sot, kur në Shkodër do të zhvillohet Kupa “Miqësia”. Organizatori i këtij aktiviteti është i mirënjohuri Hysen Zmijani dhe pjesmarrës në të do të jenë ekipet e veteranëve të Vllaznisë- “KRENARIA E FUTBOLLIT”, ekipi i Kombëtares së Miqve, ekipi i Flamurtarit të Vlorës ose siç quhet ndryshe i “Gjeneratës së futbollit të bukur” dhe “Michigan United Eagles” i veteranëve të futbollit të Michiganit që kanë ardhur nga Amerika e largët për të luajtur futboll në “Loro Boriçi”.
Ndeshjet do të nisin në orën 16:00 teksa fillimisht do të luhet përballja në mes veteranëve të Vllaznisë dhe atyre të Flamurtarit, ndërsa në orën 17:00 do të ndeshet Kombëtarja e miqve me “Michigan United Eagles”. Ekipet fituese të këtyre ndeshjeve do të luajnë më pas ndeshjen finale në orën 18:00. Të gjitha takimet do të jenë me dy pjesë nga 20 minuta secila.
Mjafton të themi se me Vllazninë do të luajnë emra si Ferid Rragami, Hysen Zmijani, Bardh Jera, Rudi Vata etj. Tek Flamurtari do të zbresin në fushën e lojës emra të tillë si Vasil Ruci, Kreshnik Çipi Sokol Kushta, Latif Gjondeda, Rrapo Taho, Alfred Ferko, Roland Iliadhi etj.
Po ashtu edhe tek kombëtarja shqiptare kanë konfirmuar pjesmarrjen e tyre emra të bujshëm si Perlat Musta, Blendi Nallbani, Sulejman Demollari, Nevil Dede, Altin Lala, Ervin Fakja, Ilir Shulku, Agustin Kola, Shkelqim Muça, Ledio Pano, Ylli Shehu, Arben Milori, Kristaq Mile, Perparim Kovaçi, Mirel Josa, Afrim Tole, Salvator Kaçaj e Artur Çobani.
Ndërkohë nga SHBA kanë ardhur për të luajtur futboll shqiptarët që jetojnë atje e pikërisht, Edmond Zejnuni, Kanto Lulaj, Tonin Kalaj, Arben Lumaj, Ferdinant Lumaj, Blerim Lumaj, Genci Çela Nike Camaj, Yllin Sufaj, Shkelzen Ndreu, Ardit Dushka etj.
Kjo kupë që zhvillohet sot, do të jetë një mundësi e shkëlqyer edhe për sportdashësit shkodranë për t’i ndjekur dhe mbështetur gjithë këto yje nga shkallët e stadiumit “Loro Boriçi”.(www.shkodrasport.com)