Nga Endri ÇINARI
Problemet me mungesat për Vllazninë kanë filluar të shfaqen, me shkodranët të cilët në dy sfidat e fundit në kampionat kundër Partizanit dhe Teutës nuk kanë pasur të gatshëm 3 nga futbollistët e tyre. Fjala është për portierin, Jukaj që do mungojë për 3-4 javë dhe dyshen Qato-Kuros. Me këta të fundit që po ashtu si gardian kanë probleme fizike, por të një shkalle më të lehtë. Megjithëse në ditët e ardhshme do shikohet nëse mbrojtësi dhe mesfushori mund të jenë të gatshëm për ndeshjen e rradhës kundër Vorës.
Por, një mungesë e sigurt në javën e 5-të për Vllazninë do jetë Gurishta. Ku numri “2” i skuadrës u ndëshkua me karton të kuq pas dy të verdhave në duelin e barazuar 1-1 ndaj Teutës. Në këtë mënyrë duke mos qenë i gatshëm për 9 herë kampionët e vendit ndaj Vorës. Prandaj tek Vllaznia patjetër kërkojnë rikuperimin sa më shpejt të Kuros, në mënyrë që mëngjërashi të rikthehet të jetë titullar në repartin e prapavijës. Duke iu bashkuar në këtë mënyrë edhe dyshes Bajrami-Gjini për ndeshjen e rradhës në kampionat.
Një tjetër futbollist që shqetëson tek Vllaznia është edhe Çarls Bismark. Sulmuesi u mendua se do e niste titullar ndaj Teutës, por një shqetësim në orët e fundit para sfidës bëri qe ganezi ta niste nga stoli ndaj durrsakëve. Pavarësisht se ai u hodh ne fushë në minutën e 68-të, shtatlarti qëndroi në lojë vetëm për 18 minuta.
Pasi në të 86-tën la vendin për Hakajn, duke treguar se problemi fizik ende e shoqëronte. Pra, plot 5 futbollistë të cilët mund të konsiderohen titullarë në rradhët e shkodranëve që rrezikojnë të mos jenë pjesë e ekipit në ndeshjen e së dielës. Me trajnerin Martini që duhet të gjejë formulën e duhur dhe futbollistët e duhur që do hedhë në fushën e lojës ndaj Vorës.(www.shkodrasport.com)