Nga Endri ÇINARI
Në kuadër të javës së 5-të të Superiores, Vllaznia do presë ditën e dielë në “Loro Boriçi”, ekipin e Vorës. Dueli që do luhet në orën 19:00 shfaqet shumë interesant duke parë edhe startin pozitiv që i kanë bërë vorakët sezonin. E me Vllazninë që kërkon vetëm 3 pikët para publikut të saj, sfida pritet të prodhojë një futboll për t’u shijuar nga të pranishmit.
Por, përsa i përket ndeshjeve mes dy ekipeve, kjo do jetë hera e parë në histori që Vllaznia do luajë përballë Vorës. Në të shkuarën nuk ka pasur asnjë përballje zyrtare mes dy ekipeve në kampionatet e zhvilluara, kjo pasi Vora ka milituar vetëm në kategoritë inferiore të kampionatit tonë.
E po ashtu në edicionin 2018-19, ku Vllaznia ishte pjesë e Kategorisë së Parë, Vora atë edicion militonte në Kategorinë e Dytë të futbollit tonë, në këtë mënyrë duke e pasur të pamundur një përballje zyrtare mes tyre. Prandaj kjo ndeshje e së dielës do i shikojë për herë të parë në histori përballë dy skuadrat në një duel kampionati.
Ku përballjet kanë qenë vetëm në nivel moshash mes dy skuadrave, duke vijuar nga U-17, U-19 dhe U-21 në të shkuarën. Po ashtu tek Vora dyshja e qendrës së mbrojtjes më parë ka dhënë kontribut edhe për Vllazninë dhe këtu është fjala për Dajan Shehin dhe Serjan Repajn. Të cilët tashmë rikthehen si kundërshtarë në Shkodër dhe në “Loro Boriçi”. Ndërsa në krahun e kuqebluve, nuk ka asnjë futbollist apo pjesëtar të stafit teknik që në karrierën e tij të ketë qenë pjesë e ekipit të Vorës.(www.shkodrasport.com)