Alban Xhaferi mendon se është ende shumë herët për të bërë diskutime rreth titullit kampion në Shkodër, pavarësisht startit të mirë të kampionatit që kanë bërë shkodranët. Presidenti i kuqebluve, i pranishëm në Kupën “Miqësia”, ka folur për “Shkodra Sport” edhe për situatën e skuadrës, që shpreson të vazhdojë me ritëm të lartë për të arritur në fund trofeun e shumëpritur në Shkodër.
“Është herët për të folur për titullin. Mendoj që kemi një fillim të mirë, sidomos e para me Egnatian ishte shumë mirë, me Partizanin gjithashtu. Sigurisht kemi punë për të bërë, sepse mendoj se në ndeshjen me Teutën duhej ta fitonim, duhej ta zgjidhnim më përpara ndeshjen. Nuk ka arsye pse ta çonim para për ta rrezikuar edhe barazimin që sigurisht nuk ishte rezultati më i drejtë i lojës. Por duhej të përgëzoj Teutën për futbollin dhe atmosferën e mrekullueshme në stadium.
Në këtë sezon kemi skuadra me të vërtetë të forta. Rikthimi i Flamurtarit është në vetvete një risi por mendoj se ka për të qenë një surprizë në vazhdimësi. Por edhe skuadra të tjera me emër që kanë dhënë kontribut si Dinamo e Egnatia, Elbasani po bën diçka me të vërtetë të veçantë. Do kemi kampionat të fortë dhe do të shohim futboll të bukur.
I bëj thirrje tifozerisë që të na ndjekin sa më shumë në stadium. Nga ana e ekipit, është herët për të folur, mendoj se kemi bërë një merkato të pëlqyeshme. Me Martinin e Sinanin, mendoj se janë në pozicionet më të mira dhe dy legjenda që do të bëjnë maksimumin për të arritur qëllimin tonë, titullin kampion.
Vora? E kam parë për disa ndeshje. Megjithëse vjen nga Kategoria e Parë, kishte një forcë goxha të mirë dhe bënte futboll të bukur, e tregojnë edhe ndeshjet e mëparshme. Nuk është çështje emrash, nga vjen, por çdo ndeshje ta vlerësojmë në maksimum dhe të japim më të mirën që në fund të marrim rezultat pozitiv”, tha Xhaferi para gazetarëve.