Tashmë nuk ka më dilema. Punimet në fushën sportive të Bushatit do të nisin brenda muajit. Gjatë kësaj periudhe do të miratohet ky investim në mbledhjen e rradhës të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së dhe njëkohësisht do të zhvillohet edhe faza e tenderimit për nisjen e punimeve.
Paraditen e sotme, në zyrën e kryebashkiakut të Vau- Dejësit është zhvilluar një takim shumë i rëndësishëm që është konkretizuar me arritjen e marrëveshjes përfundimtare për realizimin e këtij investimi. Të pranishëm përveç kryebashkiakut Kristian Shkreli, kanë qenë edhe zëvendëspresidenti i FSHF-së Arben Dervishaj, kryetari i Shoqatës Rajonale të Futbollit Shkodër Lazer Matija dhe presidenti i FC Basania Ermir Shimaj.
Investimi në fjalë është miratuar pas kërkesës së këtij të fundit, por edhe mbështetjes së dhënë nga Shoqata Rajonale dhe si rrjedhojë Bashkia Vau Dejës dhe FSHF i janë përgjigjur pozitivisht.
Sa i takon punimeve që do të bëhen është rënë dakord që të bëhet ndërhyrja në infrastrukturën nëntokësore, më pas do të bëhet shtrimi i tapetit sintetik, por përpos kësaj mësohet se do të ndërtohet edhe një minitribunë për spektatorët në pjesën përkarshi të fushës e po ashtu edhe do të ketë ndërhyrje edhe në dhomat e zhveshjes dhe ambientet e tjera.
Padyshim që ky do të jetë një investim shumë i rëndësishëm për ekipin e Basanias dhe jo vetëm sepse në këtë fushë mund të zhvillohen edhe aktivitete të tjera të Bashkisë Vau Dejës dhe po ashtu ajo do të vihet edhe në dispozicion të Shoqatë Rajonale të Futbollit Shkodër.(www.shkodrasport.com)