...
HomeFUTBOLLKATEGORIA SUPERIORERuçi: Në Shkodër për rezultat pozitiv, ruajmë vazhdimësinë

Ruçi: Në Shkodër për rezultat pozitiv, ruajmë vazhdimësinë

Skuadra e Vorës do të niset drejt Shkodrës në udhëtimin e parë mbi 100 kilometra.

Më herët, ata kanë udhëtuar deri në gjysmën e rrugës, drejt Laçit, në dy përballje të cilat kanë rezultuar pozitive, duke marrë dy fitore të bujshme: ndaj Tiranës 3-1 dhe Flamurtarit 1-0. Para këtyre sukseseve, Vora kishte humbur në start ndaj Partizanit 0-1 dhe barazuar në Durrës 1-1. Pas këtyre rezultateve mjaft të shkëlqyera për një skuadër debutuese, vorakët kanë moral të lartë dhe në aspektin psikologjik janë të motivuar për të marrë sërish një rezultat pozitiv. Megjithatë, formacioni nuk do të jetë i plotë, pasi ekipi vazhdon të vuajë mungesa për shkak dëmtimesh.

Dy lojtarë si Manfredas Ruzgis dhe Françesko Hasaj janë të përhershëm jashtë fushave dhe kanë nevojë për kohë rikuperimi. Gjithashtu, nuk do të jetë i gatshëm as kapiteni Xhuljo Tabaku, i cili ende vuan pasojat e një dëmtimi që nga faza përgatitore. Ai ka zhvilluar tri seanca të diferencuara dhe ndoshta nuk do të jetë gati si titullar që në startin e ndeshjes kundër Vllaznisë. Një lajm i mirë për skuadrën është rikthimi i mbrojtësit Jurgen Vrapi, i cili ka shlyer ndëshkimin me karton të kuq që mori ndaj Teutës në Durrës dhe do të jetë i gatshëm për formacionin titullar. Lidhur me takimin kundër Vllaznisë, për “Panorama Sport” është shprehur kapiteni aktual i skuadrës, Shkëlzen Ruçi, i cili ka mbajtur shiritin gjatë mungesës së Tabakut.

“Kemi bërë mirë në këto katër javë të para të kampionatit dhe jemi të kënaqur me ecurinë e skuadrës sonë, e cila ka qenë e matur dhe rezultative, duke na vendosur mes ekipeve më të mira. Ky është vetëm fillimi dhe euforia nuk duhet të na pushtojë. Ka plot ndeshje përpara dhe duhet t’i marrim një nga një. Kemi lënë pas entuziazmin e fitores kundër Flamurtarit dhe gjatë gjithë javës jemi përqendruar te dueli kundër Vllaznisë. Do të jetë një ndeshje e fortë dhe, duke ditur se shkodranët janë shumë efikasë në gola, detyra kryesore më përket mua: të minimizoj sa më shumë orvatjet e tyre drejt portës, pasi sulmi i tyre është shumë i rrezikshëm. Në bazë të video-analizave jemi njohur me Vllazninë dhe do të përpiqemi ta godasim në pikat e saj të dobëta. Sigurisht, që synimi ynë është fitorja në Shkodër, por më e rëndësishmja është të mos humbasim, duke ruajtur vazhdimësinë dhe ecurinë e bukur që kemi ndërtuar deri tani”, tha Ruçi.

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments

Seraphinite AcceleratorOptimized by Seraphinite Accelerator
Turns on site high speed to be attractive for people and search engines.