HomeKRYESORENjë vend i parë dhe dy vende të dyta për çiklistët e...

Një vend i parë dhe dy vende të dyta për çiklistët e Vllaznisë në Memorialin ‘Shaban Shala’ në Prizren

Çiklistët e Vllaznisë kanë bërë një paraqitje shumë të mirë në garën e zhvilluar ditën e sotme në Prizren të Kosovës duke zënë një vend të parë dhe dy vende të dyta. Një sukses ky mëse i merituar që vjen falë punës së bërë prej muajsh nga ato bashkë me trajnerin Leonat Kola.

Kupa Memorial “Shaban Shala” është zhvilluar ditën e sotme dhe në të kanë marrë pjesë të gjithë çiklistët e Kosovës, por edhe të ftuar nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Novi Pazari. Vllaznia është përfaqësuar në këtë aktivitet të organizuar nga Federata Çiklistike e Kosovës dhe Klubi i Çiklizmit “Prizreni”, me mbështetje nga DKRS – Prizren, me tre çiklistë: Luis Margjoni, Alesion Kola dhe Bekim Tafili.

Margjoni ka konkurruar në garën e kadetëve dhe ka bërë një paraqitje shumë të mirë duke qenë gjithnjë protagonist, por në fund është renditur i dyti, pasi në vendin e parë është renditur një çiklist vendas.

Ndërsa gara e të rinjve është kontrolluar nga shkodranët. Bekim Tafili dhe Alesio Kola kanë dominuar përgjatë 90 kilometrave të kësaj gare në itinerarin Prizren – Arbanë – Landovicë – Piranë – Bistazhin – Romaj – Tupec – Grazhdanik – Kobaj – Vlashnje – Vërmicë- Hotel Univers dhe në fund e kanë prerë ata të parët finishin. Tafili është shpallur fitues, ndërsa Kola ka dalë i dyti duke u ngjitur edhe ai në podiumin e kësaj gare.

Trajneri Leonat Kola në një prononcim të shkurtër për gazetën “Shkodra Sport” është shprehur mëse i kënaqur për këtë paraqitje të sportistëve të tij në këtë garë që vjen pikërisht para Kupës së Shqipërisë që do të zhvillohet shumë shpejt dhe ku padyshim që çiklistët e Vllaznisë do të kërkojnë sërish suksesin.(www.shkodrasport.com)

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments