Një ndeshje me shumë emocione ka qenë ajo e zhvilluar pasditen e sotme në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” në mes Vllaznisë dhe Studentit, e vlefshme për kampionatin kombëtar të volejbollit për meshkuj. Është dashur të luhet seti final për të shpallur fituesin e këtij takimi dhe ai ka qenë ekipi shkodran.
Vendasit e trajnerit Artan Kalaja në fakt e nisën më mirë ndeshjen dhe si rrjedhojë e fituan setin e parë në shifrat 25-16. Studenti reagoi në të dytin duke luajtur më mirë dhe duke e fituar atë 25-17 dhe kësisoj barazoi gjithçka.
Vllaznia nuk pajtohet me këtë gjë dhe në setin e tretë fiton me shumë lehtësi 25-13 duke e kthyer rezultatin e seteve në favorin e saj. U mendua se do ta fitonte edhe të katërtin dhe ta mbyllte ndeshjen, por nuk do të ndodhte kështu. Kjo sepse Studenti e rriti lojën në këtë set dhe e fitoi atë 25-16 duke barazuar sërish gjithçka në 2-2 dhe duke e çuar ndeshjen në set final.
Në këtë të fundit, janë shkodranët që luajnë më mirë dhe si rrjedhojë arrijnë ta fitojnë atë 15-11 dhe në këtë mënyrë të gjithë ndeshjen me rezultatin e përgjithshëm 3-2. Në këtë mënyrë, Vllaznia merr fitoren e tretë rradhazi në kampionat, pas atyre me Skënderbeun dhe Elbasanin duke kryesuar e vetme renditjen me pikë të plota 9.(www.shkodrasport.com)