Nga Endri ÇINARI
Dëmtimet e futbollistëve kanë shqetësuar shumë tek Vllaznia në dy javët e fundit, ku ishin plot 5 futbollistë që munguan ndaj Vorës për shkak lëndimesh. E duke shtuar këtu edhe Gurishten i cili ishte i pezulluar për shkak kartonësh, numri i mungesave në ndeshjen ndaj Vorës ishte plot 6-të për kuqeblutë. Edhe në ndeshjen e rradhës ndaj Elbasanit, pritet të ketë sërish mangësi për ekipin e drejtuar nga Martini, me trajnerin shkodran që nuk do e ketë grupin e plotë.
Kështu Jukaj siç dihet prej kohësh do vijojë të mungojë të paktën deri në gjysmën e muajit tetor. E ndërsa disi më optimiste shfaqet situata për dyshen Bismark-Hakaj, me ganezin e mbrojtësin që kanë pasur lëndime në dukje të lehta.
Por, që me ta nuk është rrezikuar aspak në duelin e fundit ndaj Vorës, prandaj gjendja e tyre fizike do shikohet më në detaje gjatë kësaj jave. Për të vendosur më pas nëse do jenë të gatshëm për sfidën e së shtunës në kampionat apo jo.
Megjithatë më e komplikuar duket gjendja për dyshen Kuros-Qato, me dy futbollistët që thuajse prej një jave nuk janë stërvitur me grupin. Duke zhvilluar vetëm vrapime individuale dhe me një ritëm shumë të ulët. Kjo pasi mbrojtësi po vuan nga një dëmtim në shpinë, i cili e shqetëson herë pas here, duke mos garantuar në formën e tij fizike. E po ashtu kuçovari ka një dëmtim në gju, që e shoqëron prej disa kohësh.
Me ish-futbollistin e Laçit që nuk garanton ende 100%, prandaj situata për të dy lojtarët do shikohet me kujdes. Në mënyrë që dëmtimet e secilit të mos përkeqësohen në ditët e ardhshme.