Nga Gjergj KOLA
Sporti shkodran humb një tjetër personalitet të tij. Ditën e djeshme ka ndërruar jetë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës një emër shumë i njohur, ish- mësuesi i edukimit fizik dhe ish- drejtuesi i Klubit Vllaznia Bahri Asllanaj. Ai është ndarë nga jeta në moshën 75 vjeçare, por duke lënë pas kujtime shumë të bukura nga jeta e tij sportive.
Bahri Asllanaj ka lindur në Shkodër më 7 qershor të vitit 1950 dhe pas diplomimit të tij si mësues i edukimit fizik, do të niste punë fillimisht në fshatra. E nis nga Berdica ku do të mbahet mend si njeriu që krijoi këndin sportiv në shkollë dhe organizoi shumë veprimtari sportive duke treguar menjëherë shenjat e një pasionanti dhe organizatori shumë të aftë.
Më pas transferohet në shkolla të ndryshme të qytetit të Shkodrës ku vijon me të njëjtin intensitet të krijojë kënde sportive dhe të angazhojë nxënësit në veprimtari të shumta sportive. Pikërisht këto veçori që ai shfaqi si mësues i edukimit fizik, bënë që atij t’i besohej në vitet ’80 drejtimi i Klubit Vllaznia e më pas Komiteti i Fiskulturës ku ka vijuar të bëjë një punë shumë të mirë dhe rezultatet e ekipeve të Vllaznisë në ato vite kanë qenë ndër më të lartat në historinë e tyre.
Bahri Asllanaj ka rreth 30 vjet që emigroi drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vend ku dhe mbylli sytë pas një sëmundje të rëndë, por dashurinë për Shkodrën dhe sportin shkodran e ka patur gjithmonë të madhe dhe këtë e ka demonstruar kudo ku i është dhënë mundësia.
Me rastin e ndarjes nga jeta të tij, Gazeta “Shkodra Sport” i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Asllanaj për humbjen e njeriut të saj të dashur, por edhe komunitetit të sportit shkodran për humbjen e një personaliteti të tij. I përjetshëm qoftë kujtimi yt, Bahri Asllanaj!