Vendimi i KAS-it për lënien në fuqi të dënimit të UEFA-s për Skënderbeun. Deklarata e presidentit të Luftëtarit për të lënë drejtimin e ekipit. Partizani në rrugëtimin e tij në Europë. Akuzat e presidentit të Skënderbeut, Ardian Takaj, kundrejt individëve të caktuar në vendin tonë për sulm të brendshëm dhe qëndrimi i figurave rreth kësaj çështjeje.
Legjenda e Tiranës, Agustin Kola, në një intervistë për “Panorama Sport” i prek të gjitha temat. Ai i bën thirrje shtetit të ndërhyjë. Një skaner i thellë mbi futbollin shqiptar, duke prekur edhe akademitë. Referuar Tiranës dhe merkatos së deritanishme e vlerëson pozitivisht si dhe ka një mesazh me shembull për trajnerin Mema, referuar sherreve.
Profesor, shumë tema të nxehta mbi futbollin shqiptar, mbase edhe më shumë se temperaturat e kohës. Nga doni ta nisim?
Të them të drejtën, më preku shumë kjo çështja e Luftëtarit që dëgjova sot (dje). Më dhimbset shumë.
Çfarë ju dhimbset?
Në tërësi historia e futbollit tonë në të gjitha kohërat, që kur është krijuar e deri më sot. Ashtu siç m’u është dhimbsur Partizani kur ka dalë nga kategoria. Siç edhe ‘Tirona ime’, për të cilën nuk ka diskutim që ndiej dhembshuri. Ashtu si më janë dhimbsur Shkodra, Kavaja, Berati e shumë klube që nuk janë më në elitë.
Pse e thoni të gjithë këtë?
Sepse futbolli nuk bëhet andej nga jam unë me origjinë, nga Dukagjini. Respekt për gjithkënd, ama futbolli nuk luhet në Dukagjin, por ka një histori të caktuar ku është luajtur dhe ku ka pasur jehonë ndër vite e dekada. Ama, mbi të gjitha, më vjen keq për një gjë.
Për cilën gjë?
Sepse ne vetëm kur ka zgjedhje ngrihemi ne, pjesa e futbollit, ish-futbollistët që të flasim dhe dëgjohemi.
Po sa vlerë ka, qoftë edhe fjala e figurave, në raport me situatën aktuale që po përjeton futbolli sot?
Unë them që ka. E kam nisur futbollin që në vitin 1976. I referohem futbollit elitar, këtij që sot quhet Kategoria Superiore. Të gjithë duhet të dini se unë nuk e kam dashur atë periudhë, ama asokohe ne kishim mësuesit më të mirë, trajnerët më të mirë. Mjaft të përmend Skënder Halilin e madh. Dhe prej tyre, që në shkollë merrnim edukatën që “në jetë mësoni të bëheni njerëz pastaj futbollistë, mjekë dhe çfarëdo tjetër”.
Çfarë mund të bëjë brezi i artë i futbollit në qytete të ndryshme për ta ndryshuar situatën?
Ajo që më vjen më së shumti keq, është se pikërisht, po e quaj plejada me të cilën kam luajtur futboll, e di mirë se si kemi kaluar ne në periudhën tonë. Me sa sakrifica kemi luajtur. Ama, të gjithë këta e dinë mirë se ne i kemi marrë gjërat me meritë pa na falur askush asgjë. Por, meqë e di se ka vlerë aktualiteti, po ju jap një shembull krahasues më të shkuarën. Nuk e kam dashur kurrë atë sistem, por neve sportistëve na kanë mbajtur në “pëllëmbë të dorës”, kur thotë një shprehje.
Çfarë doni të thoni me këtë?
Sot shteti e ka harruar sportin dhe çfarë ndodh me të. Ama, ne në atë periudhë kishim privilegje. Kishim trajtim ndryshe. Ne në atë periudhë u bëmë siç mund të bëhet sot një ekip që ka në krye president me shumë lekë. Ishte fat që Mehdi Bushati, dhëndri i Hysni Kapos, u bë president i federatës. Ama, kemi qenë njerëz profesionistë. Flinim në klub, hanim aty, paguheshim aq sa merrte një ministër, në një periudhë kur populli nuk kishte të hante.
Po sot lojtarët kanë kushte shumë herë më të mira…
Nuk mjafton. Jua përmenda sistemin sepse asokohe ai sistem i mbushte stadiumet plot. Kishte futboll, ndjenja dhe dashuri për sportin. Sot i kemi stadiumet të harruara.
Sipas jush, pse atëherë ishin plot dhe sot janë bosh?
Atëherë i mbushte cilësia e futbollit, jo miqësia apo leku. Çfarë duhet të bëjnë presidentët dhe klubet për t’i kthyer tifozët? Në optikën time të të parit të gjërave, nuk kanë faj presidentët. Dakord, secili ka të metat dhe kusuret e veta, ama mendoj se këta presidentë duhen ndihmuar nga shteti që e ka në dorë për gjithçka. Edhe për sportin.
Gjëja kryesore është që shteti duhet ta privatizojë plotësisht sportin. Me të gjitha, asete, prona, aksione dhe gjithçka tjetër në të gjithë vendin. U mblodhën dhe u tha që pas 100 ditësh do të ketë paketa ligjore dhe ndryshime. Ama, nuk shoh të ketë ndodhur gjë, edhe pse kanë kaluar më shumë se 100 ditë. Bëj thirrje të shohin, të hapin sytë jo më nga Maqedonia e vende të tjera, por nga Kosova.
Si ka mundësi që të gjithë presidentët e klubeve, edhe pse secili ka lidhje me politikën, nuk influencojnë për interesat e tyre?
Kjo është hallka kryesore. Që të ketë lidhje për të gjithë, sepse nuk mund të funksionojë në bazë të lidhjes me kryeministrin e radhës që do të jetë në qeveri. Kush ka lidhje, të ketë mirë ekipin. Jo, duhet fryma e përbashkët për të bërë ligjet për të gjithë. Ama, shoh që vetë politika i ka përçarë të gjithë presidentët. Vetë ata ta ngrenë zërin, aq më tepër për faktin se kemi një futboll ku në media dëgjojmë problemet financiare që kanë.
Federata ka dhënë ultimatum për katër ekipe: Tirana, Vllaznia, Flamurtari dhe Luftëtari, se për financat rrezikojnë licencimin…
Klubet nga Tirana e deri tek ekipi i fundit në Shqipëri do ta zgjidhin çështjen e borxheve vetëm kur të jenë 100% private. Ju them një shembull. Jemi të ulur në një kafene dhe po zhvillojmë këtë intervistë. Unë, nëse e marr me qira, do të investoj pak. Duke menduar që nëse falimentoj, të mos jap shumë nga vetja për pronarin që e ka.
Ama, nëse e privatizoj, jam i gatshëm të marr edhe borxhe nëpër banka. Sepse investoj sa të dua dhe në fund e kam timen dhe pronë të fëmijëve. Në fund fare, po të dal keq, e shes dhe marr investimin tim. Kjo është edhe puna me futbollin dhe klubet, për të cilin shteti të ndërhyjë dhe t’i privatizojë 100%.
E shihni rrezik prezent moslicencimin e tyre?
Rrezikun e shoh, sepse situata është konkrete, por them se Duka është shumë i butë dhe do t’i ndihmojë. Siç edhe i ka ndihmuar deri më sot. Kemi parë vit pas viti ndihmë të federatës, prandaj theksoj që ka ardhur koha të shohim edhe dorën dhe ndihmën konkrete të shtetit për sportin dhe futbollin meqë po flasin konkretisht për të.
Tirana ka një borxh të trashëguar prej vitesh, a mjafton vetëm privatizimi për ta zgjidhur këtë problem
Është mënyra kryesore për ta zgjidhur. Në situatat e sotme, ku ndahet me përqindje, ku asetet i kanë bashkitë, përgjegjësia do të ndahet dhe nuk do të zgjidhet asnjëherë si duhet çështja. E theksoj si zgjidhjen kryesore, për Tiranën, Vlorën dhe të gjitha ekipet, sepse secili do ta ketë shtëpinë e tij. Do ta shihni sa do të ecin, sepse pikësëpari, do të marrin njerëzit e aftë dhe të duhur në punë, jo më njerëz të afërt, kushërinj etj., etj.
Si e keni parë Tiranën me afrimet e kryera?
Tirana për momentin është shumë mirë. Ka marrë Osmanin, një lojtar me shumë përvojë dhe që kishte nevojë për një të tillë. Torasa dhe Kale janë gjithashtu lojtarë të mirë dhe të tjerët që ka afruar. Për mua edhe Hasani është i mirë, pak rëndësi ka se çfarë ndodhi.
Po si ka mundësi që përsëriten vit pas viti te Tirana zënkat?
Edhe në kohën tonë ka ndodhur. Jam zënë me grushte dhe kemi luajtur prapë bashkë. Ndodh si të thuash zënkat dhe problemet në një familje, që janë të pashmangshme, por duhen sheshuar. Unë kam biseduar edhe me Ardin, pasi është shumë njeri i mirë dhe shumë i ndershëm. Ai është shumë strikt dhe nga një anë mund të themi që bën mirë.
Por, duhet edhe të dimë ndonjëherë që nuk bëhet fjalë për një trajner te Barcelona, te Juventus etj. Ata lojtarë që ke, duhet t’i mbash afër. Trajneri duhet të jetë edhe më i butë ndonjëherë dhe të dijë t’i sheshojë. Sepse, ndodh që të tilla gjëra shkojnë edhe për të mirën e punës.
Çështja “Skënderbeu” dhe vendimi i KAS-it…
Gjynah, më vjen keq për atë vendim që është dhënë. Jam dakord, e kam thënë që në dy vitet e para i ka marrë titujt në lidhje me pushtetin, ama më pas u bë shembull. Bëri akademi të shkëlqyer. Sipas meje është dënim ekstrem. S’është dënuar ndonjë ekip në botë kaq.
A ju bën përshtypje që vetë skuadra e Skënderbeut në mbrojtje nuk e përmend frazën “jemi të pafajshëm?”
Sipas meje, problemi është fakti që e gjithë bota është në krizë dhe futbolli në zhvillim. Në të gjithë botën ndodhin gjëra të ngjashme. Ama ne, në vendin tonë, sulmojmë njëri-tjetrin. Korça u luftua nga ne. Ne shqiptarët e bëmë atë gjë dhe Partizani del kampion. Ne shqiptarët gjithmonë ia bëjmë të keqen njëri-tjetrit.
Pra, bashkoheni me thëniet e Takajt që dosja është përgatitur në Tiranë?
Jo, nuk i kam dëgjuar deklaratat e tij dhe nuk di çfarë ka thënë apo çfarë ka nënkuptuar. Ama Korça u bë ekipi për t’u marrë shembull. Kur ishte Skënderbeu, dilte në vend të parë, kishte dhjetë pikë diferencë dhe pastaj vijonte gara për vend të dytë. Iku Korça dhe del Partizani kampion. Megjithatë, dua të them se këtë vit shoh që ka ekipin e duhur në krahasim me të tjerët.