Ali Bushati është njëri nga volejbollistët më të famshëm të volejbollit shqiptar dhe atij shkodran në të gjitha kohërat. Ai është ikona e volejbollit shkodran me të cilin janë të lidhura të gjitha fitoret, dhe arritjet më të mëdha të Shkodrës “heroike” sidomos në vitet 60’, 70 të shekullit të kaluar kur Vllaznia e Shkodrës luftonte “dhëmb për dhëmb” me Dinamon e famshme të trajnerit legjendar Vangjel Koja.

Luftonte për të fituar titullin kampion në Shqipëri, titull që nuk e rrëmbeu asnjëherë për shkak të “makinës gjermane” të volejbollit shqiptar që marshonte pa u ndalur drejt titujve kampion kombëtar e Kupës së kampionëve të Europës nëpërmjet korifejve të volejbollit shqiptar.

Te tille ishin Ylli Shehu, Asllan Rusi, Dashamir Fagu (volejbollist i madh i “Partizanit” të Tiranës dhe përfaqësueses së Shqipërisë i marrë si huazim nga Dinamo për ndeshjet e Kupës së Kampioneve të Europës),Kreshnik Tartari, Anastas Panteqi, Enis Terihati, Kiço Lena, Rajmond Gjerazi, Shkëlzen Hoxha etj, të cilët i dhanë lavdinë në Europë, Shqipërisë në Bruksel të vitit 1972 ( 11-13 shkurt) duke u renditur të katërtit në Europë (pas kampiones së Europës “Spartak” Bërno, “AMVJ” Holandë dhe “Ruini” të Italisë).

Dhe Vllaznia me mjeshtrin e merituar të sportit në krye, Bushatin e papërsëritshëm u bënte ballë dinamovitëve të “rëndë” duke u renditur shpesh në vendin e dytë. Për rreth 14 vjet Vllaznia e Shkodrës me Aliun në krye u bë “armiku” numër 1 i kësaj skuadre të madhe. Në vitet 1967, 1969 dhe 1970 Vllaznia e Shkodrës fitoi tre Kupa Republike duke triumfuar ndaj Dinamos së Tiranës.

Fillesat sportive dhe formimi si volejbollist
Ali Bushati, kapiteni i madh i Vllaznisë së Shkodrës për shumë, vite filloi karrierën sportive në moshën 10- 12-vjeçare me futbollin kur luante me skuadrën e lagjes Perash në Shkodër dhe shkollës “1 Maj” ku trajner kishte mësuesin e edukimit fizik, trajnerin e mirënjohur të atletikës Feti Dizdari.

“Zumë vendin e parë –tregon Aliu ndonëse me vështrësi pasi ka kryer disa operacione në fyt- ku zumë vendin e parë në shkollat 7-vjeçare të asaj kohe. Unë merrja pjesë edhe në garat e atletikës dhe në basketboll. Në Spartakiadën e pionerëve në Durrës në vitin 1955, luajta si basketbollist”.

Në vitin 1956 ai nxiton për tu afirmuar në sport në teknikumin e fiskulturës “Vojo Kushi”në Tiranë, ku në vitin e dytë të shkollës shfaqet plot talent me skuadrat përfaqësuese të kësaj shkolle si në futboll, basketboll e volejboll në një radhë me sportistë të shquar si Fatmir Frashëri, Renato Radoja e tj.

Pas fundshkollës së Tiranës kthehet në Shkodër dhe 17 vjeç ingranohet me ekipin e parë të basketbollit dhe paralelisht luan edhe volejboll. Trajneri i volejbollit të Vllaznisë, Dan Doçi bën kërkesë dhe ngulmon tek trajneri i basketbollit Esat Haxhi që Aliu të kalonte tek volejbolli pasi vështronte ngultas tek ai, të ardhmen e volejbollit shkodran.

Dani kundroi tek ai përgatitjen e gjithëanshme fizike, teknikën e lartë, shkathtësinë, elasticititetin, intuitën, përqëndrimin, vizionin e lojës, papërkulshmërinë ndaj vështirësive, kërcyeshmërinëe dhe sidomos pregatitjen e shkëlqyer akrobatike.

“U futa në formacion dhe u bëra lojtari kryesor kryesor i Vllaznisë deri në vitin 1964 ku me kërkesën e gjeneral Petrit Dumes (ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare në atë kohë) më mobilizuan me Partizanin e Tiranës me trajner Andon Konën ku u afirmova plotësisht.

Në mënyrë të veçantë më trajtoj shumë mirë, i madhi i volejbollit shqiptar, trajneri im Petrit Murzaku. Dy herë dolëm në finale me Dinamon dhe kryesonim me sete dhe në të dyja ndeshjet Dinamo e Tiranës e përmbysi rezultatin në 3-2”- tregon Aliu.

Bushati ka zënë vendin e dytë dhe të tretë në Shqipëri në hedhje shtize dhe kërcim së larti për të rritur në vitet 1964-65.

Kariera e madhe
Aliu ka zhvilluar rreth 60 ndeshje ndërkombëtare (25 me ekipin përfaqësues) dhe nuk e harron ndeshjen e parë ndërkombëtare në vitin 1963, me ekipin kinez “Pai” në stadiumin “Qemal Stafa” në fushën pas portës nga kodrat e Liqenit Artificial, të cilën e humbën 3-2.

“Sapo u futa në ndeshje në pozicionin numër 4 në vend të Pëllumb Pelivani, Fatmir Meka më jep një top dhe unë e godita fort në vijën e parë. Atëherë Fatmiri më tha: “Tashti hyre në lojë”. Dhe vërtetë hyra bukur në lojë sepse kisha shumë emocion e mora krahë” – të rrëfen Bushati i madh i volejbollit.

Në vitin 1966 rikthehet në Shkodrën e tij të sportit, kulturës, emancipimit, mikpritjes dhe të traditës (të cilën nuk e ndrron me asnjë vend të botës) dhe e nxjerr nga kategoria e dytë në kategorinë e parë.

Për 7 vjet Vllaznia e Ali Bushatit (trajner-lojtar), Franc Jakovës (trajner) Tonin Fistanit, Sandër Palokës, Viktor Jubanit, Mark Grimcit, Xhelal Haxhit, Bato Lashovës etj rivalizojnë për titull me Dinamon.

Ai nuk e harron “finalen” e kampionatit kombëtar midis “Vllaznisë” e Dinamos në Shkodër në vitin 1972, kur Vllaznia shënonte pikën e 15-dhjetë dhe fitonte 3-2, por sekretari i ndeshjes kishte harruar të shënonte një pikë për Vllazninë. Gjyqtari i ndeshjes Dilaver Cara ish ulur prej kulle për të “verifikuar” pikët dhe në mënyrë paradoksale rinis lojën.

Dinamo fiton setin e pestë final 18-6 dhe të gjithë takimin 3-2. Dinamo e huazonte përherë në ndeshjet e Kupës së Kampioneve të Europës dhe në fitoret 3-0 kundër “Virtus” të Bolonjës dhe “Bloker” të Hagës në Tiranë i gjithë pallati i sportit “Partizani” bërtiste në himn: “Bushati, Bushati”.

“Me Virtusin e Bolonjës isha më i miri në fushë për të dyja skuadrat”- kujton ylli shkodran i atyre viteve. Aliu ka zhvilluar shumë ndeshje me përfaqësuesen, por me Rumaninë në Stamboll për kampionatin europian e quan një ndeshje të madhe. Padyshim, Bushati ka bërë epokë në volejbollin shkodran dhe mbetet figura më e madhe e këtij sporti në Shkodër.

Ai është fokusuar dhe zgjedhur në 10 figurat më të mëdha të shekullit të njëzet (natyrisht që është edhe sot në vitin e 12-të të shekullit të njëzetenjë). Njeriu i virtuozitetit të topit në rrjetë është futur në gjashtëshen shekullore të volejbollit shqiptar dhe renditet i katërti në Shqipëri pas Asllan Rusit, Dashamir Fagut dhe Petrit Murzakut.

Shpirti i lartë i garës, lufta e fortë sportive, egoja për fitore, vlerësimi maksimal për çdo ndeshje, lojtari me cilësi universale si shuter, pasues, organizator, njohës e veprues i shkëlqyer i bllokut, mbrojtës me cilësi të përkryera në vijën e dytë si dhe një realizues i përsosur i shërbimit tenis e me hark, përbëjnë arsenalin e gjërë që e bënë atë njerin nga figurat më të shquara të sportit shqiptar në vitet 60’-70’ të shekullit të kaluar.

“Dueti i famshëm Asllan Rusi-Ali Bushati i dy gjigandëve në përballjet në rrjetë ka qenë aq spektakolar por edhe aq miqësor nën rrjetë e pas takimeve të dy “metropoleve antagoniste” të majave të volejbollit shqiptar, Vllaznia e Dinamo në kohën e pakdritës së tunelit shqiptar” –tregonte pak kohë më parë trajneri më i famshëm shqiptar i volejbollit për femra Kreshnik Tartari, ky dinamovit i “pandreqshëm” për këtë dyshe mozaike e sociale.

Bushati ka qenë vendimtar në ngritjen dhe konsolidimin e volejbollit shkodran në përballjen me Tiranën pdinamon, partizanindhe 17 nëntorit, Korçën, Elbasanin, Vlorën etj.

Vlerësim
Mjeshtri i merituar i sportit, “Nderi i Sportit Shqiptar 2000” tashmë me rastin e 70-vjetorit të lindjes që i festohet sot në Shkodër është nderuar pak kohë më parë nga presidenti i Republikës zoti Bamir Topi me urdhërin “Mjeshtër i Madh i Punës” për meritat e tij të jashtëzakonshme për volejbollin shkodran e atij shqiptar.

Bashkëshortja e tij, Nurija tok me fëmijët e shkolluar të tij Senadën, Seatin dhe Elonën krenohen për bashkëshortin dhe babanë e tyre të dashur, shumë shoqëror e me sens humori.

Edhe Kreshnik Tartari, Hysen Domi, Gjergj Liqejza (Presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit),Leonard Tase (sekretar i FSHV), Todi Driza, Franc Jakova, Viktor Jubani, Ylli Tomorri, Renato Radoja, Agim Fagu, Sabah Bizi, Muhamet Përmeti (Pata i mirënjohur ish-basketbollist e trajner i Partizanit e Dinamos), e shumë të tjerë figura të shquara të sportit shkodran e shqiptar e vlerësojnë shumë atë si njeri dhe sportist shembullor.

Figura më e madhe e trajningut të volejbollit shqiptar për meshkuj, ish-trajneri i Dinamos së madhe dhe përfaqësueses shqiptare për shumë dekada dhe njëkohësisht trajner i tij me Dinamon e përfaqësuesen shqiptare Vangjel Koja, e vlerëson kështu Ali Bushatin:

“Aliu nuk ishte vetëm lojtar i Vllaznisë së Shkodrës, ai ishte lojtar që u lind në Shkodër, u rrit dhe u zhvillu shumë tek klubi i Partizanit. Ai dha një kontribut shumë të çmuar në ekipin e Dinamos në Kupën e Kampioneve të Europës.

Ishte antar i çmuar e me vlera universale i ekipit kombëtar të Shqipërisë, ku bënte pjesë në gjashtë lojtarët më të mirë të vendit. Ne do të marrim pjesë sot në ditëlindjen e 70-vjetorit të Aliut, një figure shumë të madhe të volejbollit shqiptar dhe i urojmë jetë të gjatë dhe shëndet.

Ai ishte mbi të gjitha një lojtar shumë punëtor dhe nëqoftëse arriti në majat më të larta të volejbollit shqiptar, i arriti vetëm në saj të punës së madhe të tij. Gjatë kohës që drejtoja ekipin e Dinamos e thërrita Aliun për grumbullim. Ishte viti 1966 dhe ekipi i Dinamos merrte pjesë për herë të parë në Kupën e Kampioneve të Europës.

Ne fituam kundër skuadrës italiane të njohur”Virtus” i Bolonjës dhe Bushati në ndeshjen e Tiranës dha një kontribut të shkëlqyer, por për fat të keq nuk e shoqëroi ekipin për në Bolonjë sepse Komiteti i Partisë së Shkodrës për arësye biografike i dha viston negative. Atje u mundëm 3-0, por u kualifikuam me pikaverazh.

Po atë vit, në ndeshjen e turit të dytë, kundër Blokerit të Holandës, iu privu e drejta për të ardhur në Hagë, pasi ai dha sërish një kontribut të madh në fitoren 3-0 të Tiranës.

Atje u mundëm 3-0 n dhe u eleminuam për 1 pikë diferencë. As që diskutohet se po të ishte Aliu në Holandë do të jepte një kontribut të madh.

Në Eleminatoret e Kampionatit Botëror të zhvilluar në Sofje, në vitin 1970 dhe në kampionatin Botëror të Turqisë (Stamboll paraeleminatoret dhe Ankara finalet) zumë vendin e 13-të në 22 shtete pjesëmarrëse dhe Bushati ishte nga kryesorët e skuadrës sonë, ku u dallua për shpirtin luftarak të tij dhe aftësinë e madhe për ta transmetuar tek shokët e tjerë duke ushqyer e frymëzuar natyrshëm mobilizimin e madh tek ata.

Ishte shumë i dashur me shokët, teknikisht shumë i përsosur ndaj trajneri e kishte të lehtë të jepte detyrat. Zakonisht lojtarët e gjatë në mbrojtje nuk janë të mirë ndërsa Aliu dallohej dhe ishte një mbrojtës i rrallë. Dallohej për bllokun shumë të fuqishëm, në sulm dinte të bënte disa mënyra gjuajtjeje dhe forcën goditëse të shutimit e kishte shumë të madhe për arësye se ishte shumë i fortë fizikisht.

Ai ka qenë shumë i disiplinuar dhe respektonte mjaft trajnerët. Ai është një mik i madh i Tiranës”.

Besnik Rajti