HomeFUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREAlsid Tafili: Edi Martini ka kthyer identitetin te Vllaznia

Alsid Tafili: Edi Martini ka kthyer identitetin te Vllaznia

Alsid Tafili, ish-kapiteni i Vllaznisë ka folur së fundmi për “Panorama Sport”. Në fjalët e tij ai ka analizuar këtë fillim sezoni të kuqebluve, duke theksuar se ndoshta ekipi mund të meritonte edhe më shumë pikë seç ka marrë deri më tani. Ndër të tjera ish-mesfushori tregon edhe dallimet që ka skuadra aktuale me atë të sezoneve të shkuara, teksa pret akoma më tepër nga ekipi në të ardhmen bazuar në elementët që mban. Po ashtu Tafili ndan edhe një mendim për ndeshjen e rradhës ndaj Vorës ku beson se Vllaznia do të arrijë një fitore në shtëpi.

Si ju janë dukur këto katër javë të para të kampionatit për Vllazninë?

Them se Vllaznisë në këto javë të para mund t’i jepet një notë pozitive. Skuadra po merr formën e duhur e po ashtu besoj se po përmirësohet nga ndeshja në ndeshje. Në gjykimin tim ekipi po paraqitet shumë mirë dhe po zhvillon një lojë mjaft të mirë, po zhvillon një lojë sulmuese dhe në presing ndaj kundërshtarit. Një stil loje që i ka hije historisë së klubit.

Mund të kishte merituar më shumë pikë skuadra në këto duele?

Patjetër që po, duke marrë parasysh që me ekipin e Teutës, Vllaznia dominoi totalisht nga fillimi në fund të takimit. Ishte për të ardhur keq që skuadra la dy pikë në fund ndaj durrsakëve në opinionin tim. Kjo pasi skuadra krijoi shumë volum dhe shumë raste për gol, ku duhet ta kishte mbyllur duelin me një gol të dytë të shënuar. Po ashtu goli i barazimit të Teutës ishte i dyshimtë, megjithëse tashmë gjithçka ka përfunduar.

Ndalemi pak tek ndeshja e fundit ndaj Teutës, shumë raste, por vetëm një pikë, zhgënjyese?

Loja e Vllaznisë ishte bindëse në këtë duel, një stil ofensiv, me shumë grintë dhe ritëm. Ku u krijuan shumë raste dhe ndoshta vetëm këtu mund të them se ishte “defekti” i Vllaznisë. Që duhej të kishte mbyllur llogaritë me kohë në këtë duel. Po ashtu mund të them se pjesa e dytë ishte nën ritmin e së parës, prandaj ndoshta këtu mund të përmirësojë diçka ekipi.

Cilët janë faktorët që mund të përmirësojë më tepër skuadra?

Siç e thashë edhe më lart, Vllaznia po krijon shumë, ku në të gjitha ndeshjet si me Dinamon, Partizanin dhe se fundmi me Teutën ka dominuar në lojë dhe raste. Prandaj them se finalizimi i rasteve duhet të jetë një faktor që duhet rishikuar te skuadra.

Çfarë ka ndryshuar në krahasim me sezonet e shkuara?

Martini ka kthyer te Vllaznia lojën e saj që gjithmonë e ka karakterizuar. Me intensitet të lartë dhe me lojë sulmuese e dominuese ndaj rivalëve. Tifozët, por edhe ne opinioni i futbollit në qytet e kemi theksuar prej kohësh që kjo loje mungonte tek Vllaznia. Prandaj jam i gëzuar që skuadra është rikthyer në origjinë dhe shpresoj të vijojë në këtë ritëm dhe pse jo ta përmirësojë atë.

Ka ndonjë futbollist që sipas teje ka bërë diferencën në këto javë, nga cilët mund të presim ende?

Të gjithë futbollistët më duken në formë, nuk mund të veçoj asnjërin. Edhe ata që vijnë nga stoli po japin ritmin e duhur kur aktivizohen dhe duken gjithmonë të gatshëm në 100%. Nuk pres nga lojtarët të bëjnë një lojë individuale në këto momente. Por, të formohet një grup i mirë dhe nga loja e mirë më pas të dalin në pah edhe vlerat individuale.

Garanton kjo skuadër për titullin e aq shumë kërkuar?

Besoj se mundësitë janë duke parë grupin e formuar dhe përbërjen e ekipit. Thjesht ekipi duhet të krijojë vazhdimësi në rezultate tashmë. Megjithëse është ende shumë herët për të folur për titullin kampion. Ka shumë faktorë që ndikojnë për të arritur tek titulli kampion dhe ekipi duhet të jetë gjithmonë i përgatitur e të bëjë sa më pak gabime.

Fundjava e gjen Vllazninë përballë surprizës se kampionatit deri më tani, Vorës. Si e mendon dhe parashikon këtë duel?

Unë them se do të shikojmë një ndeshje të luftuar shumë dhe ajo që do të bëjë diferencën sipas meje do të jetë fitimi i dueleve në mesfushë. Po ashtu Vllaznia po arriti të dalë mirë në tranzicionet pozitive do e ketë më të lehtë arritjen tek suksesi. Megjithatë them se në shtëpinë e saj skuadra nuk gabon dhe do të arrijë të marrë pikët e plota.

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments