Altin Xhahysa është një ndër ata ish-futbollistë që e di se çfarë do thotë të shpallesh kampion me Vllazninë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, pasi ka analizuar ecurinë e këtij edicioni dhe në veçanti ndeshjen e fundit të kuqebluve ndaj Dinamos, shkodrani ndalet edhe te finalja e së hënës kundër Egnatias. Ai thekson se ka shumë besim se titulli do të rikthehet në Shkodër. Dhe Vllaznia mund ta arrijë këtë vetëm me karakter dhe grintë, pasi ato janë faktorët që kanë më vlerë në këto momente.
Xhahysa, një sezon që po mbyllet, si e gjykoni për Vllazninë?
Një sezon i gjatë dhe i lodhshëm për gjithë ekipet e Superiores. Besoj se të gjithë në fund morën se çfarë kishin merituar dhe kishin shfaqur në fushën e lojës. Përsa i përket Vllaznisë besoj se ishte brenda parashikimeve. Ndoshta mund të pritej diçka më tepër në aspektin e lojës, por tek rezultati kuqeblutë nuk kanë çaluar. Dhe në sport në fund llogaritet rezultati përfundimtar. Do ta gjykoja si një sezon pozitiv, ku për momentin është arritur objektivi minimal, që është kualifikimi në kupat e Europës.
Mund të bënin diçka më tepër shkodranët?
Skuadra ka pasur uljet dhe ngritjet e saj dhe për këtë janë të vetëdijshëm të gjithë. Në këto momente ku ndodhet ekipi është e lehtë të flasësh çfarë mund të bëhej më mirë, por nuk është se do të kishin ndonjë vlerë. Tashmë ka vetëm një 90 minutësh përpara për të realizuar objektivin madhor që është titulli. Analizat dhe komentet për sezonin duhet të bëhen pas kësaj ndeshjeje në opinionin tim.