Kristjan Asllani duket se ka gjetur një klub të Serisë A që përmbush ambiciet që ka futbollisti. Por marrëveshja nuk është edhe aq e lehtë, pasi pengohet nga rregulloret aktuale të kampionatit të elitës së futbollit italian.

Klubi i gatshëm të shpenzojë për kartonin e Asllanit është Torino, që ka nevojë për përforcime urgjente në mesfushë, sidomos pasi pa të largohet Riçi në merkaton e verës. Asllani është profili i duhur dhe klubi torinez është vënë në lëvizje për të siguruar firmën e tij.

Megjithatë, rregullorja e Serisë A për momentin ia ndalon firmën me futbollistin. “Tuttosport” shpjegon se Torino aktualisht ka 22 lojtarë të cilët janë të paktën 23-vjeçare dhe mund të regjistrojë në listën e tij vetëm 21 të tillë.

Ndaj do të duhet të bëjë disa shitje në mënyrë që të nënshkruajë me Asllanin, i cili është 23-vjeçar e do të zinte një nga vendet në këtë listë. Kjo komplikon gjithçka në këtë pikë, pasi Torino ka pak kohë për të bërë dy largimet në dalje, që t’i krijojë vend në listë Asllanit.