Trajneri i Vorës, Arjan Bellaj, ka theksuar se ndeshja e sotme ndaj Vllaznisë u vendos nga gabimet në një ndeshje futbolli, ku ekipi i tij duhej të kishte shfrytëzuar më mirë rastet e krijuara.
“Dua të përgëzoj çunat për atë që ndodh në fushën e lojës. Nuk ka rëndësi që nuk e nisëm mirë, luajtëm me ekip që ka emër. Mos harrojmë që Vllaznia është një nga ekipet më në formë të kampionatit. Nuk u trembëm, në fillim ishim pak të ndrojtur, pësuam penalltinë, e morëm veten, u ngjitëm më lart në pjesën e dytë. Por gjithsesi jam i kënaqur nga ekipi. Fillimi si gjithmonë, edhe me Partizanin e pësuam për disa minuta. Jemi një ekip i ri, duhet të na ikë pak frika, se kualitetin e kemi dhe duhet ta tregojmë në vazhdimësi.
Është psikologjike, na ndodhi edhe me Partizanin. Por me të ishin 10-15 minuta, këtë ndeshje ishin pak më shumë. Nuk mund të nxirrnim topin nga poshtë, tregon edhe presionin e Vllaznisë që na kapte një kundër një. Nuk deshëm të rrezikonim. E dimë që Vllaznia ka të fortë presingun ultra-ofensiv, nuk linte asnjë ekip të nxirrte topin, vetëm me Dinamon kishte pak luhatje. Ndaj vendosëm të luajmë ashtu, në pjesën e dytë ndërrimet ndikuan. Por pësuam aty ku morëm veten, krijuam raste me Luis Felipe që duheshin shfrytëzuar se ua kam thënë çunave 100 herë se kur shkojmë me një ekip të madh, me dy raste duhet të shënosh një gol. Ne shpërdoruam e nuk shënuam, kjo është për të ardhur keq. Se luajtëm 20-30 minuta në pjesën e parë, edhe kundërshtari na bëri presing, bëmë vetëm dy goditje standarte me Vrapin dhe kaq.
E dimë që Karrica luan në majë, por edhe në të majtën, me Kasallën që bën të gjithë rolet, edhe në krah si bëri gjithë kampionatin e Kategorinë e Parë. Edhe Luis Felipe u dëmtua, por ta mendojmë për ndeshjen tjetër se këta janë ata më në formë.
Goli i dytë ishte një top i dhuruar, por gabimet ndodhin në futboll. Ishte edhe një mbyllje në shtyllën e dytë që nuk e bëmë, duhet të jemi vigjilentë se ka lojtarë të shpejtë, në krahë, e shfrytëzuan me një kros në shtyllën e dytë ku Murataj ishte vetëm. Kjo është ajo që më shqetëson, duhet të analizoj këtë javë se nuk duhet të bëjmë gabime të tilla. E kemi zgjidhjen që asnjëherë të mos e kalojmë nga qendra, e punojmë gjatë javës. Kjo ndodhi, është futboll, ka gabime, do i analizojmë këtë javë, do merremi me gabimet dhe çfarë do të bëjmë me Egnatian”, tha Bellaj për RTSH pas ndeshjes.