Lajme jo të mira për Realin e Madridit në seancën e fundit stërvitore të premten, teksa ekipi i bardhë ka humbur shërbimet e mesfushorit Xhud Bellingam. Anglezi nuk mundi të përfundonte stërvitjen për shkak të një goditjeje të marrë në këmbë kur seanca ishte gati të përfundonte.
Ylli i kombëtares angleze duhej të largohej nga fusha dhe iu nënshtrua testeve të ndryshme. Sipas shërbimeve mjekësore të klubit, lojtari ka pësuar një dëmtim në muskulin e hollë shputor të këmbës së djathtë. Një dëmtim që do ta mbajë jashtë fushës së lojës për të paktën një muaj. Pritet që ai të ribashkohet me pjesën tjetër të grupit pas pushimit të kampionateve në Europë si pasojë e angazhimeve të ekipeve kombëtare në Ligën e Kombeve.
Dëmtimi i Bellingam do ta pengojë trajnerin Karlo Ançeloti që të hedhë në fushë treshen “BMV” në ndeshjet e ardhshme në La Liga, duke filluar me Vajadolin nesër pasdite. Gjëja normale do të ishte që trajneri italian të përdorte një nga tre lojtarët në dispozicion në mesfushë, Luka Modriç, Brahim Diaz ose Arda Gyler për të zëvendësuar anglezin.
Reali i Madridit duket se nuk ka qenë shumë me fat sa i përket dëmtimeve në këtë nisje të sezonit. Gjatë fazës përgatitore, lojtari premtues i të rinjve, Joan Martinez, këputi ligamentin e kryqëzuar. Më vonë ishte Eduardo Kamavinga, i cili pësoi një ndrydhje në ligamentin e brendshëm të gjurit të majtë në seancën e fundit stërvitore para finales së Superkupës së Europës.
Në parim kthimi i tij është planifikuar në fund të shtatorit ose fillim të tetorit. Kamavinga dhe Bellingam i bashkohen të dëmtuarve të tjerë, Vajehos me mbingarkesë, dhe Alabasë, i cili vazhdon të rikuperohet nga dëmtimi në ligamentin e kryqëzuar që ndodhi sezonin e kaluar dhe që do ta mbajë larg dinamikës së grupit deri në dhjetor, nëse gjithçka shkon sipas planit.