Bledi Shkëmbi nuk e di ende nëse do të jetë apo jo trajneri i Tiranës në sezonin e ardhshëm. Trajneri i bardhebluve ka treguar në një intervistë se ka ende kontratë me bardheblutë me të cilët ka zhvilluar bisedime për të ardhmen.

“Që në momentin që mbaroi kampionati, kam pasur bisedime me drejtuesit e klubit të cilët kanë shprehur dëshirën, ashtu si edhe timen për të vazhduar e bashkëpunuar. Kemi vazhduar, gjatë gjithë ditëve kemi qenë në  kontakte për atë që do bëjmë e si do të vazhdojmë.

Patjetër që për të rifilluar punën duhen kristalizuar disa gjëra.  thënë shqip duhen sqaruar disa gjëra bashkë, stafi teknik por edhe klubi për të parë se çfarë do të bëjmë më shumë në të ardhmen apo atë që është më e rëndësishme, çfarë do të bëhet më e mirë për klubin e Tiranës”, tha ai fillimisht për “Ora News”.

Por më pas Shkëmbi theksoi se fakti që ka kontratë me Tiranën, nuk do të thotë detyrimisht që bashkëpunimi të vazhdojë, pavarësisht se dëshira ekziston.

“Unë në fakt kam edhe një vit kontratë, nuk është se më mbaron e duhet të rinovoj. Ajo që ju thashë që në fund të kampionatit kam folur me pjesëtarë të klubit të cilët më kanë shprehur besimin dhe dëshirën që ne do të vazhdojmë. Patjetër që gjatë kësaj kohe duke sqaruar e biseduar për gjëra që duhet të bëjmë më mirë.

Unë mendoj se ka qenë dëshirë e ndërsjellë, por në futboll asnjëherë nuk i dihet. Çdo gjë duhet bërë në mënyrën e duhur. Unë jam në bisedime me klubin se çfarë do të bëhet, patjetër që nëse nuk biem dakord në disa pika, nuk është çudi që rrugët të ndahen.

Struga? Për të qenë i sinqertë, ka patur një interes, por unë e kam sqaruar që pa mbyllur bisedimet me Tiranën, pa mbyllur atë që kam thënë gjithmonë që kam dashur e dua të vazhdoj me Tiranën. Nëse kjo dëshirë do të jetë e ndërsjellë dhe nëse gjërat do të bëhen në mënyrën e duhur që të mos përsëritet viti që iku. Mund të them që akoma nuk ka mbaruar asgjë dhe unë vetë kam një pikëpyetje se çfarë të bëj”, tha trajneri i bardhebluve.