Carlo Ancelotti u prezantua zyrtarisht si trajneri i ri i kombëtares së Brazilit, duke hyrë në histori si trajneri i parë i huaj që drejton “Seleçaon”.

Me ardhjen e tij, pritet një ndryshim i pazakontë në ambientet e Federatës Braziliane të Futbollit, pas një kërkese të veçantë nga tekniku italian.

Sipas gazetës braziliane Globo, Ancelotti i kërkoi drejtuesve të federatës të lejojnë pirjen e duhanit në zyrat dhe ambientet e brendshme të Shoqatës, dhe kërkesa u pranua menjëherë.

Kështu, nga sot, duhani është i lejuar në ambientet e Federatës, një lëvizje që lidhet me faktin se Ancelotti është i njohur si duhanpirës i rregullt.

Trajneri italian do të marrë zyrtarisht drejtimin e Brazilit pas largimit nga Real Madridi, me të cilin pati katër sezone të suksesshme.

Ndeshja e tij debutuese do të jetë më 6 qershor kundër Ekuadorit, në kuadër të kualifikueseve për Kupën e Botës 2026.

Aktualisht, Brazili ndodhet në vendin e katërt në renditje me 21 pikë dhe është shumë pranë sigurimit të një vendi në turneun që do të mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë vitin e ardhshëm. /Telegrafi/