Vllazninë nuk e harron asnjëherë dhe ka gjithmonë nostalgji për të. Fjala është për Dervish Haxhiosmanoviç, ish-trajnerin e kuqebluve që u shpall për herë të fundit kampion në sezonin 2000/01. I ndodhur në stadiumin “Loro Boriçi” të dielën për të ndjekur duelin Vllaznia-Laçi, malazezi dha edhe një intervistë për “Panorama Sport”. I fundit trajner kampion me ekipin shkodran tha se ky është një sezon pozitiv për shkodranët, por që duhet mbyllur me titullin kampion, ku, sipas “Dedës” siç e njohin në Shkodër, Vllaznia i ka të gjitha mundësitë për të arritur suksesin final.

Profesor, sërish në Shkodër për Vllazninë, një pjesë e zemrës apo jo?

Gjithmonë kënaqësi kur vij në Shkodër dhe “Loro Boriçi” për të ndjekur Vllazninë. Njerëzit dhe dashamirësia nuk ka ndryshuar aspak, pavarësisht se vitet ecin dhe brezat ndërrojnë. Gjej rastin t’i falënderoj për respektin që më japin gjithmonë. Në Shkodër dhe me Vllazninë kam ndoshta kujtimin më të bukur si trajner dhe do të më shoqërojë i tillë gjatë gjithë jetës sime.

Si arrihet suksesi final, sepse jeni i fundit që e keni bërë diçka të tillë…

Me shumë besim, me krenari dhe vendosmëri për fanellën që mban veshur. Duke mos pasur frikë askënd, por as duke nën vlerësuar askënd që do kesh përballë. Vllaznia ka edhe një “favor” që janë tifozët e saj të mrekullueshëm, pasi është e sigurt që do jenë në mbështetje të ekipit kudo. Prandaj, me punë dhe sakrificë arrihet te fitorja dhe titujt, pasi talenti nuk mjafton gjithmonë për të arritur lart.

Ka ndonjë ngjashmëri me vitin 2001 ky edicion?

Ka ndryshime në kohë dhe në breza. Atëherë kishte lojtarë të tjerë, kundërshtarë të tjerë. Nuk besoj se do të ishte i drejtë një krahasim. Thjesht uroj që kjo Vllazni ta ripërsërisë atë çfarë ne bëmë në vitin 2001, pasi me të vërtetë është një kohë e gjatë që titulli mungon në Shkodër.