Nga Gjergj KOLA

Kampionati i vitit 1937 ka qenë i pari rast kur shkodranët janë ndëshkuar haptazi në rrugën e tyre drejt titullit kampion. Mohimi i titullit të parë atë vit, do të pasohej nga të tjerë më pas. Në fakt, menjëherë pas çlirimit të vendit, gjithçka nisi mirë për Vllazninë.

Ajo është kampione më 1945, 1946 dhe duhej të ishte edhe më 1947 dhe më tutje. Nuk e lanë sepse kështu ishin rrethanat. Nëpër vende të ndryshme të Europës ishin ngritur PARTIZANËT dhe madje kishin nisur edhe DINAMOT. Ata ishin skuadra të Ministrisë të Brendshme dhe njëkohësisht edhe të Mbrojtjeve.

Ishin skuadra që kishin prapa edhe pushtetin dhe si të tilla patjetër që duhej të fitonin. I pari që e bëri këtë gjë ishte Partizani. Sikur të mos i mjaftonte marrja e disa futbollistëve si Medo Cuciqi, Lutfi Hoxha, Isuf Pelingu, Hamdi Bakalli e Zef Gavoçit, skuadra e ushtarakëve “i vjedh” Vllaznisë edhe titullin kampion.

Sigurisht jo vetëm por me ndihmën e gjyqtarëve dhe të drejtuesve të Federatës së asaj kohe. Në mënyrën më të paturpshme por gjithçka ishte logjike sepse Partizani kishte prapa mbështetjen e shtetit.

E përshkruan bukur Besnik Dizdari në librin e tij “Historia e kampionateve të Shqipërisë”, libri 2 që flet për vitet ’40 teksa nis të shpjegojë padrejtësitë që i bëhen Vllaznisë në kampionatin e vitit 1947.

“…Java e 10- të ka humbjen e Vllaznisë prej Partizanit në Tiranë, një ndeshje që ngjall shumë diskutime, që nuk gjen thuajse asnjë pasqyrim në shtyp, që kundërshtohet për njëanshmëri gjykimi prej shkodranëve përderisa Vllaznia kërkon edhe përsëritjen e ndeshjes.

Një gjë e tillë nuk ngjet…”- shkruhet në faqet e këtij historiku. Sigurisht që nuk mund të përsëritej sepse planet tashmë ishin bërë: Partizani me çdo kusht duhej të shpallej kampion sepse ishte skuadra e MINISTRISË SË MBROJTJES.

Dhe këtu fillon lufta e vërtetë për kuqeblutë. Ata barazohen me pikë me të kuqtë dhe  titulli sigurisht që është humbur prej këtu.
Nuk ka asnjë vend më për dyshim sepse për të ndihmuar “të përkëdhelurit” e pushtetarëve, mendon Federata.

Zgjidhja që gjendet këtu është mjaft origjinale. Vllaznia dhe skuadrat e tjera të kampionatit i luajnë të gjitha ndeshjet e kampionatit ndërkohë që Partizani do t’i luajë shumë më vonë.

Arsyeja që jepet është se kjo skuadër ka patur të angazhuar në kombëtare gjatë asaj periudhe disa lojtarë dhe në fakt vetëm dy prej tyre janë pjesë e këtij ekipi? Aq sa mund të kenë patur edhe ekipet e tjera, në mos më tepër. Por duhej një shkak dhe ajo që e pëson është Vllaznia.

Dizdari e shpjegon bukur në librin e tij kur shkruan: “… Vllaznia luan rregullisht çdo javë ndërsa Partizanit i shtyhen ndeshjet e tij deri sa do të mbërrijmë tek rasti unikal që fiksohet më 27 gusht 1947.

Janë në krye Vllaznia me 26 pikë, Dinamo e Korçës me 24 pikë dhe Partizani me 17 pikë. Jemi një javë përpara mbarimit të kampionatit dhe të duket sikur titulli ka të bëjë vetëm me Vllazninë  dhe Dinamon e Korçës. Nuk është kështu.

Vllaznia e Dinamo kanë vetëm edhe nga 1 ndeshje për të luajtur ndërsa Partizani plot 6! I gjithë ky konfuzion shkon megjithatë në të mirë të një skuadre të vetme, Partizanit, i cili pasi ka parë dy rivalët të mbarojnë punë, arrin të parashikojë gjithçka në ndeshjet e tij rradhazi me skuadrat e tjera”.

Mjeshtri i shkrimeve historike për futbollin shqiptar, e thotë “me dorashka” por të gjithë e kanë të qartë se çfarë po ndodhte. Vllaznia kishte marrë dy tituj boll dhe tashmë duhej të hapte rrugën. Ishte urdhër i pastër ndonëse jo i dhënë me shkresa e vendime.

Partizani patjetër duhej të dilte kampion sepse ishte ndërtuar për të “bërë ligjin” në futbollin shqiptar.Kampionati i vitit 1947 e demostron më së miri këtë gjë me shtyrjen në mënyrë krejt të pakuptimtë të ndeshjeve të tij kur skuadrat e tjera e kishin mbaruar kampionatin.

Besnik Dizdari në librin e tij shpjegon qartë edhe datat se kur janë luajtur ndeshjet e të kuqve dhe bën krahasim me ato të Vllaznisë, rivales së saj për titull.

“…Datat e ndeshjeve të tij janë të pashembullta në spontanitetin e tyre në ditë futbollistike kur luan vetëm ky Partizan i sapolindur.
Për shembull, javë e 12-të luhet më 15 qershor e Partizani e bën ndeshjen e tij më 31 gusht; java e 14-të luhet për të gjithë më 6 korrik, Partizani e luan të tijën më 7 shtator;

java e 16-të zhvillohet më 20 korrik, ndërsa Partizani e zhvillon ndeshjen e tij për këtë javë vetëm më 16 shtator; java e 17-të zhvillohet më 27 korrik dhe Partizani luan më 28 shtator!

…Vllaznia dhe Dinamo e Korçës ndeshjen e tyre të fundit  e kishin luajtur më 3 gusht, në Korçë dhe do ta mbyllnin kampionatin një javë më pas (10 gusht).Partizani kishte edhe 6 ndeshje pa luajtur”- citojmë më tej Besnik Dizdarin në librin e tij historik.

Kampionati kësisoj përfundon në atë mënyrë që pritej. Partizani duhej të ishte kampion me çdo kusht. Ai grumbullon 29 pikë ndërsa Vllaznia 28 dhe kjo diferencë prej një pikë mjafton që skuadra ushtarake të shpallet kampione e vendit për herë të parë në historinë e saj.

E pëson Vllaznia e cila kështu, duke nisur nga ky kampionat fillon e merr të tatëpjetën derisa e dërgojnë dy herë në kategorinë e dytë.
Kampionati i vitit 1947 kësisoj është titulli i dytë i mohuar për Vllazninë. Por jo i fundit sepse në vitet e mëpastajme do ketë edhe të tjerë.