Nelson Hysa nuk ka ndër mend të ndalet. Më 10 tetor do të ndeshet në Tiranë me kroatin Pesut, në një ndeshje për dy titujt më të rëndësishëm botërorë: WBA World Championship Gold dhe WBO Global Champions.
Tre muaj pas kësaj ndeshje, boksieri i njohur shkodran do të zhvillojë një tjetër ndeshje të madhe. Gjithçka është zyrtarizuar një ditë më parë dhe Nelson Hysa më 10 janar të vitit të ardhshëm do të jetë në ringun e Oberhausen për t’u ndeshur me një prej boksierëve më të mirë të Botës.
Bëhet fjalë për gjermanin Agit Kabayel i cili ka një bilanc prej 26 ndeshjesh të zhvilluar dhe të gjitha të fituara, me 18 prej tyre të mbyllura me KO. Kabayel aktualisht mban vendin e dytë në botë për peshat e rënda dhe është një sportist me famë të madhe. Mediat gjermane, madje edhe e mirënjohura “BILD” ka raportuar tashmë për ndeshjen e tij të rradhës teksa shkruajnë:
“Tani është bërë zyrtare kundërshtari i Agit Kabayel për janar 2026: Nelson “The Albanian Eagle” Hysa (23-0-0).
Shqiptari 41-vjeçar është ende i pamposhtur dhe ka arritur 21 nga 23 fitoret e tij me nokaut. Megjithatë, klasa e kundërshtarëve të tij deri tani konsiderohet kryesisht si jo shumë e lartë.
Në renditjet e federatave të mëdha, Hysa gjithsesi figuron – ndër të tjera në vendin e 7-të në WBA dhe në vendin e 9-të në WBO. Përveç kësaj, gjatë karrierës së tij ai ka fituar disa tituj kontinentalë dhe europianë.
Për Kabayel, Hysa duket të jetë një provë e kapërcyeshme – ndoshta një “luftë për të qëndruar aktiv”. Por, në peshën e rëndë nuk i dihet kurrë…”