Vllaznia në boks ka bërë një goditje të fortë në merkato, pikërisht në prag të ndeshjeve të kampionatit kombëtar të boksit. Bëhet fjalë për marrjen e boksierit të njohur Alban Bermeta, i cili ka arritur akordin me drejtuesit e skuadrës shkodrane dhe do të garojë me siglën e tyre në këtë kampionat.
Bermeta njihet si një nga boksierët më të mirë në Shqipëri dhe padyshim që veshja e tij kuqeblu është një “armë” më shumë për Vllazninë në prag të kampionatit kombëtar i cili pritet të ketë shumë rivalitet sepse sivjet janë disa ekipe që pretendojnë titullin kampion.
Përveç ekipit shkodran atë e pretendojnë edhe Tirana, Teuta, Flamurtari e Studenti. Shpërndarja e titujve individualë në disa ekipe, e bën edhe më interesante garën. Kujtojmë që kampion do të shpallet ekipi që nxjerrë më shumë kampionë si individë në pesha të caktuara.
Dhe Vllaznia tashmë edhe me marrjen e Alban Bermetës, duket se është konkurrentja kryesore për fitimin e titullit të 27-të kampion. Me të, por edhe boksierë të tjerë si Arjon Kajoshi, Senad Drini, Ani Haxhillari, Bekim Vjerdha e të tjerë, arritja e objektivit duket shumë më e afërt.
Megjithatë gjithçka do të vendoset në ndeshjet e kampionatit kombëtar të boksit që zhvillohet javën e ardhshme, në datat 3-5 tetor në pallatin e sportit “Ramazan Njala” të Durrësit.(www.shkodrasport.com)