Nga Maringlen ZHIVANI

Vllaznia vijon përgatitjet për sezonin e ri. Kuqeblutë kanë në fokus Conference League, ku në turin e parë do të ndeshen me letonezët e Daugavpils. Trajneri Edi Martini po punon maksimalisht me grupin aktual, ndërsa një mbrojtës nga edicioni i kaluar nuk bën pjesë në planet e tij.

Kështu, qendërmbrojtësi shkodran Serjan Repaj, që u afrua për repartin defensiv në merkaton e janarit, nuk është në llogaritë e Martinit. Trajneri shkodran po ndërton ekipin e sezonit të ri dhe mesa duket, futbollisti në fjalë nuk ka qenë brenda pritshmërive të trajnerit Martini. Nga sa mësohet, tashmë Repaj pritet të mbyllë kontratën e tij me Vllazninë dhe të vendoset në kërkim të një tjetër ekipi.

Qendërmbrojtësi shkodran u afrua si futbollist i lirë në fillimin e janarit të këtij viti. Megjithatë, duke mos qenë në planet e trajnerit Martini, është vendosur që palët të ndërprejnë kontratën. Në ditët në vazhdim, Repaj dhe klubi pritet të zyrtarizojnë këtë largim. Tashmë, mbrojtësi e mbyll këtu pas vetëm gjashtë muajsh me kuqeblutë.

Në disa ndeshje, Repaj u preferua edhe si titullar nga Brdariç, por mesa duket qendërmbrojtësi shkodran nuk preferohet nga trajneri aktual Martini dhe zgjidhja më e mirë për të dy palët duket se është largimi. Merkato e Vllaznisë ka nisur me transferime, që kanë bërë mirë më parë në futbollin shqiptar. Arsid Kruja, Aleksandër Kouros dhe Esin Hakaj po punojnë me grupin aktual dhe janë të gatshëm për Conference League.(www.shkodrasport.com)