Nga Maringlen ZHIVANI
Esat Mala është një nga futbollistët që ka shkëlqyer me Vllazninë në këto tre sezone të tij në Shkodër. Ditën e sotme, ai rinovoi edhe për një tjetër sezon futbollistik kontratën me kuqeblutë, të cilët tashmë me plot gojë mund të thuhet se kanë bërë një “bingo” të madhe me mesfushorin 26-vjeçar, për të cilin trajneri Edi Martini kishte kërkuar ta ketë përsëri pjesë të ekipit.
Mirëpo, në këto ditë, ofertat konkrete për Malën ishin të shumta. Në fakt, duke parë situatën e tij në Shkodër, ku i kishte përfunduar kontrata, klubet e tjera të Superiores nisën të interesoheshin.
“Shkodra Sport” mëson se Egnatia, Partizani dhe Tirana kanë qenë skuadrat që e donin kosovarin ta kishin pjesë të tyre. Megjithatë, mesfushori vendosi të luajë sërish me Vllazninë, duke qenë se edhe trajneri Edi Martini e konsideron pjesë të rëndësishme të skuadrës.
Në këtë sezon, ai është aktivizuar në 36 ndeshje, duke qenë edhe futbollisti me më shumë minuta tek Vllaznia. Sa herë ka luajtur, Mala ka lënë gjurmë, si me gola, ashtu edhe me assiste, ku këtë sezon që u mbyll shënoi shtatë gola dhe dha 12 asiste, duke dhënë një kontribut të madh për rezultatet e skuadrës së Vllaznisë.(www.shkodrasport.com)