Nga Maringlen ZHIVANI
Për tre ditë me rradhë, në datat 27, 28, 29-qershor, Puka do të mirëpresë kampionatin kombëtar të boksit U-19, përmes së cilit, ekipe të ndryshme dhe boksierë të spikatur do të dhurojnë emocione të forta sportive. Aktiviteti pritet të mbledhë boksierët më të mirë të rinj nga e gjithë Shqipëria, të cilët do të matin forcat në ring për të fituar titujt më të rëndësishëm në këtë kategori moshe.
Kampionati do të nisë të premten e ardhshme dhe do të zgjasë deri të dielën, teksa pritet të zhvillohen disa përballje emocionuese që do të testojnë përgatitjen e boksierëve të rinj. Organizatorët kanë bërë të ditur se janë marrë të gjitha masat për një garë dinjitoze dhe me standarde të larta, duke përfshirë edhe një juri gjyqtarësh profesionistë, por edhe mbështetje logjistike nga Bashkia e Pukës.
Ky kampionat shërben si një trampolinë për talentet e reja drejt ekipeve kombëtare dhe arenës ndërkombëtare, ndërsa është edhe një mundësi për promovimin e sportit të boksit në zonat veriore të vendit. Sheshi “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” në Pukë, do të shndërrohet në arenën e vërtetë të një aktiviteti unik.
Aty ku përpos ringut të ngritur posaçërisht, do të gumëzhijë edhe nga atmosfera festive e këngëve dhe valleve, me pjesëmarrjen e emrave të njohur të muzikës shqiptare. Po ashtu, Puka pritet të mirëpresë jo vetëm boksierë dhe trajnerë, por edhe shumë sportdashës që do të ndjekin nga afër emocionet e garës.(www.shkodrasport.com)