Editoriali i Kampionatit (Nr. 1, 2018-’19)

Të hënën e djeshme të 8 tetorit 2018, andej kah ora 15 e 40 minuta, kur njerëzit e kanë mendjen ende te dita e punës apo te problemet, me të cilat gjithmonë fillon dita e parë e javës te populli shqiptar i sotëm, Kampionati Kombëtar i Shqipërisë i stinës 2018-’19 regjistroi të 16-tin rezultat 1-0 prej të 40 ndeshjeve të zhvilluara deri tani.

Ky ishte “1-0” i kryesueses Partizani ndaj rivales me emrin Klubi i Futbollit Kukësi. Dhe ishte i treti “1-0” i Partizanit brenda vetëm 8 ndeshjeve, por ndoshta më i çmueshmi.

Ndeshja u zhvillua në stadiumin e boshatisur të Elbasanit, duke e regjistruar veten Shqipëria si i vetmi vend në Europë, që një nga ndeshjet e saj më të rëndësishme e ka stadiumin 99.99 për qind pa spektatorë.

Këtu kemi mbërritur! Ky fakt tregon se Kampionati Kombëtar në Shqipëri drejtohet në një mënyrë gati private, ndonëse është një veprimtari kombëtare, pronë e kombit shqiptar.

Po të duash, thuaji edhe “pronë publike” dhe prapë nuk gabon. Është vërtet interesante se si kritikat e vazhdueshme ndaj mënyrës së drejtimit, ndërtimit, organizmit të Kampionatit Kombëtar, thuajse nuk ndikojnë aspak.

Në radhë të parë, nuk vlejnë apo nuk ndikojnë sepse ashtu si një pjesë e mirë e veprimtarive të sporteve të tjera, edhe Kampionatin Kombëtar të Futbollit, shteti dhe qeveria shqiptare të sotme, me sa duket nuk e ndiejnë asesi se e kanë “pronë” të tyre, madje të traditës kombëtare, të popullit të tyre, të Shqipërisë së tyre.

Kjo vjen ngaqë ndoshta ata e konsiderojnë Kampionatin Kombëtar të Futbollit si një lloj prone private të dikujt tjetër. Më e pakta të atyre të rangut drejtues, të cilët vënë buzën në gaz kur iu thua se zbriti në Kategorinë e Dytë Sportklub Tirana, se po kështu ra edhe Vllaznia e Shkodrës.

E po kështu, nuk duken se shfaqin ndonjë dhimbsuri a keqardhje, teksa iu kujton se po harrohen edhe skuadrat e Elbasanit, Kavajës, Beratit e të tjera përfaqësuese të qyteteve tradicionale.

Në këtë realitet, ndonjë lloj gazetari si puna e autorit të këtyre radhëve, i cili me pendë ka ndjekur, pra shkruar a komentuar nja 50 Kampionate të Shqipërisë, natyrisht mbetet i zhgënjyer sa s’ka ku shkon më.

Megjithatë, për nderin e kësaj pasurie kombëtare të varfëruar tejet, e që përveç të tjerave, asesi nuk është pronë e Federatës Shqiptare të Futbollit, prapëseprapë, gazetari i vjetër kërkon të gjejë interesanten edhe te një kësisoj Kampionati të orës “së mjerë” 13:45 të mesditës së një të hëne…

Megjithëse pra, atij (dhe jo vetëm atij) shpesh i duket se kujdesin më të madh drejtimi i Kampionatit e ka me boshatisë stadiumet ose ndoshta me dërgue (ndonjë shprehje e paskajores së gegnishtes, sigurisht që ia vlen) sa më parë në studio vëzhguesin a delegatin e ndeshjeve për të mohuar ose pohuar veprimtarinë e arbitrave.

Natyrisht, me përkujdesjen e tepruar që mos ketë asnjë kritikë për mënyrën e organizmit a drejtimit të Kampionatit Kombëtar… E kështu, vijmë te gazetari, – jo “analisti” i studios televizive, – i cili kërkon të fiksojë ndërkaq, se Kampionati thuajse po ruan katërshen e Kampionatit që shkoi, por me një përjashtim: mungon Luftëtari. Ndërsa treshja Skënderbeu – KF Kukësi – KF Laçi po aty. Ndryshimi është ngaqë pjesë e saj është bërë Partizani.

Madje, kryesuese e saj. Kjo është dhe befasia e këtij fillimi prej 8 javësh. Kryeson Partizani me 19 pikë mbas një fitoreje 1-0 ndaj kuksianëve, ndonëse këta nuk kanë asnjë futbollist kuksian.

Kjo është fitorja e katërt rresht për ushtarakët e dikurshëm, ndonëse këta kanë e pakta nja 25 vjet që nuk kanë asnjë ushtarak në përbërje. Por më e rëndësishme se të gjitha këto, është se kemi të bëjmë me një kryesues tejet serioz.

Partizani ndiqet nga Kampionia Skënderbeu me 17 pikë e Laçi me nga 16 – i vetmi ky pa asnjë humbje – kur dihet se po i katërti ka qenë edhe në Kampionatin 2018.

Prej këtu, papritmas mësojmë se i përjashtuari prej katërshes së vjetshme qenka Luftëtari i Gjirokastrës, në të vërtetë i renditur në vendin e tretë – “medalje bronzi” – po që në mbrëmjen e 7 tetorit 2018, duke humbur 0-2 në fushën e vet prej Skënderbeut, e sheh veten thjesht në vendin e 9-të, ndryshe në atë të parafundit!

Kësisoj, ky “prozaizëm” statistikor i këtij editoriali të duket se na çon te “monotonia” e stinës që shkoi. Nuk është plotësisht kështu, megjithatë.

Vërtet në të janë po të vjetshmit: Skënderbeu, KF Kukësi e Laçi, po me ta plot forcë ka ardhur “të jetojë” edhe Partizani. Themi plot forcë, ngaqë ai është ngjitur në majë, çka do të thotë se kryeson Kampionatin.

Nuk duhet quajtur një befasi, kur kujton se jo larg, por më 2016 e 2017 ishte Nënkampion i Shqipërisë. Tash ky është Partizani tjetër, datuar 2018, ai i cili për herë të fundit Kampion i Shqipërisë ka qenë më 1993.

Plot 25 vjet më parë! Shifër simbolike “25”, tip përvjetorësh – për të mos qenë simbolike nëse në vitin e 26-të të kësaj largësie të ’93, Partizani do të ribëhet Kampion i një ditë maji 2019 për të 16-ën herë…

Sigurisht, është tejet herët për të thënë se ky Partizan i sotëm është mëtuesi i parë për titullin e Kampionit 2019. Kështu, ngaqë përpara janë edhe plot 28 javë ndeshje dhe është tejet vështirë të parashikosh kaq shpejt.

Madje, është po kaq vështirë edhe të portretizosh kaq shpejt. Ndonëse kemi një Partizan, i cili në këto 8 javë pak a shumë ai të imponohet.

Është vështirë t’ia veçosh emrat. Të presim edhe pak për të dhënë merita, qoftë edhe për trajnerin e tij tejet serioz, Skënder Gega. E, duke u shtyrë në kujtesë, se si më thotë mendja të kujtoj tre regjisorët e titullit të Partizanit 1993, që ishin tre trajnerët e tij: Sulejman Starova i pari -gjithnjë i pranishëm edhe sot, tash trajner, mandej drejtor e tash analist.

Për të vazhduar me dy ndihmësit e tij të atij titulli të shekullit të shkuar XX (se ky që jemi është shekulli XXI). E kam fjalën për dy ndihmësit e tij Hasan Liken, të cilin “fati” e “degdisi” në trajner të Kategorisë së Dytë me Vllazninë, për ta mbyllur me trajnerin e tretë të atij Partizani ’93, dr. Mustafa (Muç) Fagun, të cilit nuk ia dëgjoj fort zërin në publikun mediatik, ndërkohë që libri i tij tejet origjinal, “Rënia e Partizanit” i vitit 2013, po të lexohet për së mbari vlen mû lexu për ringritjen e Partizanit.

Ndërkaq, duke iu kthyer Partizanit të sotëm, më duket se ai nuk ka një lider, por në tanësinë e përmbajtjes së lojës së tij, shihet një harmoni e këndshme kolektive. Ndonëse përbërja e tij ka një shumëngjyrësi “etnike” të pafund.

Duhet të hulumtosh jo pak për të gjetur “kombësinë” e lojtarëve të tij, kur në vërtetë deri tani, jo pak, por plot 8 lojtarë prej 20 të aktivizuarve, vijnë prej kontinenteve të tjera, qysh nga Nigeria e Gana e Afrikës e deri te Koreja e Veriut e Azisë!

Ai është një Partizan që shënon shumë pak, vetëm 9 gola në 8 ndeshje, por thuajse nuk pëson gol: vetëm 1 në 8 ndeshje. Diçka fort e rrallë. Gjithsesi, golavarazhi i tij kaq “i pastër” 9-1, por jo i pasur me shumicë golash, kur e vështron disi më thellë, vetvetiu na çon te dukuria tanësore e këtyre 8 javëve.

Te dukuria e krejt pak golave, vetëm 1.80 për ndeshje, gati më e ulëta në histori, që deri sot është ajo që i përket Kampionatit të vitit 1974, kur ka qenë mesatarisht vetëm 1.67 gola për ndeshje.

Ky është prologu i një Kampionati, në të cilin 16 nga 40 ndeshjet e luajtura kanë dhënë rezultatin e varfër 1-0. Por midis kësaj varfërie, ka disa “1-0” tejet të çmueshëm dhe me plot ndikime në kompozicionin e renditjes së deritashme.

Të tillë janë 1-0 i KF Kukësit ndaj SK Tiranës, 1- 0 i Flamurtarit ndaj KF Kukësit, 1-0 i Flamurtarit në Gjirokastër, 1-0 i KF Kukësit në Durrës, 1-0 i Partizanit me SK Tiranën, 1-0 i KF Laçit ndaj Flamurtarit. Së fundi, 1-0 i KF Laçit ndaj SK Tiranës dhe mbas tij ky i orës më të fundit: 1-0 i Partizanit ndaj KF Kukësit.

Rrallë mund të ndodhë që vetëm në 8 javët e para të një kampionati, “i varfëri” 1-0 të pasurojë kaq fort situatën e disa skuadrave. Pak më parë kishte mbërritur i 14-ti “1-0” po aq i rëndësishëm, ai i fitores së Skënderbeut me KF Kukësin të enjten e 4 tetorit.

Një 1-0 po aq i varfër në shifra, por deri diku i pasur në lojën e një Skënderbeu, që përveç të tjerave, humbet edhe një 11-metërsh prej një mjeshtri të këtij interpretimi siç është Muzaka.

Fitorja shpëtoi Skënderbeun nga rreziku i daljes prej treshes mëtuese, natyrisht për çastin, dhe i krijoi një lloj tronditje skuadrës kuksiane, e cila dihet që në 6 kampionatet e vetme që merr pjesë radhazi, është 1 herë Kampione e Shqipërisë, 4 herë Nënkampione dhe 1 herë e treta. Sensacion i vërtetë për historinë tonë prej një debutuesi pjesëmarrës i vetëm 7 kampionateve.

Për fat, sapo i mbërrin “1-0” tjetër, ky i Partizanit, që e çon në vendin e katërt, jo larg, por plot 6 pikë në ndryshim prej kryesuesit, duke tronditur jo pak vetë këtë prolog krejt të baraspeshuar: vetëm 3 pikë ndryshim midis tri skuadrave të para, Partizani (19), Skënderbeu (17) dhe KF Laçi (16) Ajo që nuk mund të pranohet pra, është varfëria prodhuese e futbollit sulmues. Vetëm njëra prej 10 skuadrave ka arritur shifrën e shënimit të 10 golave në 8 javë të tana.

Është Skënderbeu shënues i 11 golave. Të tjerët, me në krye qoftë edhe Partizanin e vendit të parë, janë në kuotën e përtej çdo lloj varfërie: secila skuadër ka në aktiv vetëm deri në 6,7 apo 8 gola të shënuar! Duhet të lodhemi fort për të gjetur se kur ka ndodhur kjo më parë!…

I tillë paraqitet fillimi i Kampionatit të Shqipërisë 2018-2019, vazhdimi i të cilit nuk mund të merret me mend se si do të jetë, ndonëse baraspesha e prologut të tij, më e pakta të një tresheje tërheqëse, na bën të shpresojmë për një garë të fortë.

Natyrisht, të kryesuar prej Partizanit të etur më shumë se asnjëherë për një titull kampioni. Po edhe për nja dy shpresa të tjera: që KF Kukësi nuk do të dorëzohet kaq lehtësisht dhe që skuadrat “e mesme” të qyteteve Vlorë, Durrës e pse jo edhe Tiranë, nuk do ta pranojnë këtë situatë që në përmbajtjen e lojërave të tyre të deritashme, nuk mund të quhen asesi një “mes i artë”.

E për sa i përket cilësisë, kjo është një temë për një herë tjetër… Kujtoj si gjithnjë se për derisa nuk ka Elbasan e Kavajë, Dinamo e Berat e aq më tepër Shkodër e Vllaznisë, i mjeri Kampionat!

Mbërriti puna deri aty sa t’ia quajnë “derbi” ndeshjen me Koplikun, i cili dikur, kur merrte pjesë në eliminatoret e vjetra të Kupës së Shqipërisë, paraqitej thjesht me një skuadër shkollare e përbërë prej arsimtarëve shkodranë, të cilët luanin thuajse pa u stërvitur asnjë ditë! Historina të harruara këto…
*Editoriali eshte botuar ne gazeten “Panorama Sport”