Egnatia ka preferuar që të jetë në heshtje shtypi para finales me Vllazninë. Kjo për të hequr të gjithë presionin në skuadër.

Nuk foli si zakonisht për mediat as trajneri Edlir Tetova. Në njëfarë mënyre, kjo tregon edhe presionin që kanë kampionët para kësaj finaleje, ku i duhet që ta fitojnë patjetër, pasi në të kundërt do të konsiderohej si i dështuar pa asnjë trofe të fituar.

Ndeshja do të luhet në “Arena Kombëtare” nga ora 20:00. Rrogozhinasit e mbyllën kampionatin e rregullt si vend i parë, ndërsa Vllaznia i ndiqte me 2 pikë më pak.

Më pas kuqeblutë mposhtën Dinamon në “Final Four”, ndërsa Egnatias i mjaftoi barazimi për të eleminuar Partizanin.