Java e 13-të e gjen Egnatian përsëri në fushën e vet, ku në fundjavë do të presë Vllazninë, një nga rivalet kryesore në garën e titullit kampion. Pas fitores me Tiranën pak ditë më parë, rrogozhinasit pa dyshim do të kërkojnë një tjetër trepikësh për të konsoliduar pozitat e tyre në kreun e renditjes.

Kundërshtari vjen në një moment mjaft të mirë dhe trajneri Edlir Tetova me të tijtë do ta përgatisin ndeshjen me shumë kujdes për të mos hedhur hap fals.

HAKMARRJA – Egnatia do të ketë mundësinë të marrë “hak” ndaj Vllaznisë për humbjen e fazës së parë. Në Shkodër kampionët në fuqi morën “shuplakën” e parë në këtë kampionat, teksa u mundën me rezultatin 3-1 dhe zhvilluan një nga lojërat më të dobëta. Për Vllazninë shënonin Mala, Qato dhe Balaj, kurse për Egnatian realizonte golin e vetëm Ujka. Nga jo sfidë e luajtur në stadiumin “Loro Boriçi” kanë kaluar shumë javë dhe dy skuadrat kanë ndryshuar.

Për rrogozhinasit mund të ketë ndoshta pak më shumë presion, pasi kërkohen pikët maksimale në shtëpi. Tetova pritet ta ketë të plotë grupin për këtë ndeshje, pasi këtë herë nuk ka asnjë lojtar të pezulluar. Rikthehet mbrojtësi Arbenit Xhemajli, i cili mungoi kundër Tiranën për shkak kartonësh. I vetmi që ka pasur probleme fizike është sulmuesi Redi Kasa, që gjithashtu nuk ishte në skuadër për ndeshjen e fundit.