Nga Endri Çinari

Për të kompletuar totalisht ekipin në sezonin 2025-26 të Superiores tek Vllaznia, po mendojnë për afrimin edhe një sulmuesi tjetër. Kështu në repartet e tjera kuqeblutë duket se janë të “blinduar” tashmë e po kërkojnë afrimin e një futbollisti në repartin ofensiv. Një lojtar që mund të aktivizohet si sulmues i parë apo qoftë edhe si një sulmues krahu, bazuar kjo edhe në skemën që kërkon të aplikojë trajneri, Edi Martini.

Kështu drejtuesit dhe stafi kuqeblu po studiojnë mundësitë e afrimit të ndonjë sulmuesi nga rajoni, apo edhe nga Superliga shqiptare. Një futbollist që mund të përshtatet shpejt me skuadrën dhe që të japë kontributin e tij menjëherë.

Dëshira dhe “fiksimi” për një sulmues sillet rreth emrit të Charles Bismark, ganezit i cili u aktivizua në Shkodër për ndeshjet e Conference League kundër Vikingur. Dhe menjëherë la një përshtypje më shumë se pozitive, jo vetëm në klub, por edhe tek tifozët.

Aktualisht duket e vështirë për të arritur tek 24-vjeçari i cili është nën kontratë me Skënderbeun. Me klubin korçar që kërkon një shumë të majme për të lënë të lirë ish-futbollistin e CSKA Sofia dhe synimi është transferimi në një kampionat jashtë vendi deri në fundin e merkatos. Por, nëse një transferim i tillë nuk realizohet, atëherë Vllaznia qëndron “pas dere” për të përfituar. Në mënyrë që të sjellë në Shkodër një sulmues potent, që do kompletonte totalisht skuadrën e Martinit në prag të edicionit 2025-26 të Superiores.