Nga Endri ÇINARI
Ndryshime rrënjësore pritet të ndodhin tek Vllaznia në edicionin e ri 2025-26. Dhe këto ndryshime u paralajmëruan 24 orë pas finales së kampionatit me Egnatian. Ku drejtuesit e kuqebluve nuk preferuan të rinovojnë marrëveshjet me trajnerin Brdariç dhe drejtorin Osmani. Në këtë mënyrë duke paralajmëruar për një revolucion në rradhët e shkodranëve.
Gjithçka e re tek Vllaznia do nisë nga trajneri i ri që do vihet në krye të pankinës. Në orët e fundit emri më i lakuar në ambientin kuqeblu ka qenë ai i Edi Martinit. Me ish-fantazistin shkodran që është një kandidat potencial për marrjen e drejtimit të 9 herë kampionëve të vendit. Sipas asaj çfarë mëson “Shkodra Sport” në mënyrë ekskluzive, kontaktet e para kanë nisur mes presidencës shkodrane dhe ish-trajnerit të Teutës.
Sipas këtyre zërave për momentin ka qenë thjesht një propozim, me detajet apo arritjen e marrëveshjes nëse do jetë e tillë që do zyrtarizohet në ditët e ardhshme. Për Martinin do ishte një rikthim pas 15 vitesh si trajner i Vllaznisë, ku më parë kq drejtuar kuqeblutë në edicionin 2009-10. Në vendin tonë, si trajner 50-vjeçari ka spikatur me ekipin e Teutës, ku me durrsakët ka fituar gjithçka të mundshme në elitën e futbollit tonë.
Edhe ambienti i futbollit në qytet dhe tifozët e skuadrës prej disa kohësh shprehin dëshirën që Vllaznia duhet të drejtohet nga një trajner shkodran. Dhe duket se diçka e tillë do realizohet në ditët e ardhshme, megjithatë për zyrtarizimin e një marrëveshjeje të mundshme mes Vllaznisë dhe Edi Martinit duhet të presim edhe pak.