Transferimi i mesfushorit Bakary Goudiaby te Vllaznia duket se është bllokuar në momentet e fundit nga trajneri i Dinamos, Ilir Daja. Klubi shkodran kishte shfaqur interes konkret për futbollistin senegalez dhe marrëveshja ishte shumë pranë zyrtarizimit. Megjithatë, pavarësisht se lojtari ishte i gatshëm për t’u bashkuar me kuqeblutë dhe bisedimet mes palëve kishin avancuar, Daja ka vendosur të mos e lejojë largimin e tij drejt një rivali direkt.
Burime pranë klubit nga kryeqyteti bëjnë me dije se Daja ka qenë i prerë në vendimin e tij, teksa në bisedat me drejtuesit ka thënë qartazi që: “Nuk dua të forcoj një ekip rival si Vllaznia”. Këto kanë qenë fjalët e tij, duke e bllokuar përfundimisht këtë lëvizje.
Ky vendim ka irrituar disi drejtuesit e Vllaznisë, të cilët po kërkojnë me ngulm përforcime në repartin e mesfushës. Goudiaby ishte parë si një profil i përshtatshëm për stilin e lojës që dëshiron të ndërtojë trajneri Edi Martini, por me këtë refuzim, shkodranët do të duhet të orientojnë sytë drejt alternativave të tjera në merkato.
Vlen të theksohet se Goudiaby ka qenë një nga lojtarët më të përdorur nga Dinamo në sezonet e kaluara, por me ndryshimet taktike të Dajës, hapësirat për të janë kufizuar ndjeshëm. Megjithatë, ai duket se do të qëndrojë të paktën deri në janar, për të mos “armatosur” konkurrentët direkt në Superiore.(www.shkodrasport.com)